Piloti i FlyDubai rrëfen sulmin e përgjakshëm në kabinë: Nuk mund t’i lija të vdisnin
Piloti indian i avionit të FlyDubai, i cili u sulmua nga bashkëpiloti gjatë fluturimit nga Dubai drejt Tel Avivit, ka treguar për herë të parë momentet dramatike në kabinë dhe përpjekjen për të shpëtuar rreth 170 personat që ndodheshin në bord.
“Po luftoja për jetën”, tha kapiteni Smit Machchhar gjatë një videotelefonate nga spitali me kryeministrin indian Narendra Modi.
Machchhar ishte plagosur rëndë me thikë dhe kishte rënë në dyshemenë e kabinës, ndërsa avioni po humbiste me shpejtësi lartësi.
“Isha plagosur aq rëndë sa kisha rënë përtokë. Por e dija se duhej të veproja”, tha ai. “Mund ta ndieja se avioni po binte”.
Sipas zyrtarëve izraelitë, bashkëpiloti dyshohet se tentoi ta rrëzonte avionin pasi sulmoi kapitenin, megjithëse hetuesit po përpiqen ende të përcaktojnë motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se bashkëpiloti i ishte nënshtruar një “indoktrinimi radikal islamist”, pa dhënë hollësi të tjera.
Gjatë sulmit, Boeing 737 Max 8 humbi më shumë se 16 mijë këmbë, ose rreth 4,900 metra lartësi, brenda vetëm 30 sekondave.
Machchhar, i cili ka 17 vjet përvojë në aviacion, 11 prej tyre si kapiten, tha se edhe i shtrirë i plagosur në dyshemenë e kabinës e kuptonte se çfarë po ndodhte me avionin.

Kapiteni arriti të hapte derën e kabinës, duke u dhënë mundësi pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të ndërhynin dhe të neutralizonin bashkëpilotin.
“Po e bëja për të shpëtuar veten”, tha Machchhar, “por e dija gjithashtu se nuk mund t’i lija të gjithë të vdisnin”.
Dy persona në bord që kishin përvojë fluturimi ndihmuan më pas në uljen e avionit në Arabinë Saudite.

Machchhar u shtrua fillimisht në një spital saudit dhe më pas u transferua në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku tha se po merr kujdes të mirë mjekësor.
“Guximi dhe kthjelltësia juaj – morët një vendim në një fraksion sekonde dhe shpëtuat kaq shumë jetë”, i tha Modi. “Keni bërë krenar të gjithë vendin”.

