07-10-2026

15 milionë euro për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm për faturat e rrymës elektrike

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e pestë programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike për vitet 2026–2027, përmes të cilit planifikohet të ndahen rreth 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Programi synon të mbështesë familjet që janë pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale, duke u mundësuar atyre përkrahje financiare për shpenzimet e energjisë elektrike.

“Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike në Kosovë 2026–2027 është aprovuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilin planifikohet ndarja e rreth 15 milionë eurove për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm.

Programi ka për qëllim mbështetjen e ekonomive familjare nga sistemi i mbrojtjes sociale dhe sigurimin e qasjes së barabartë në energji elektrike si shërbim esencial, përmes subvencionimit të energjisë për konsumatorët e cenueshëm.

Ditët në vazhdim pritet të nënshkruhet edhe vendimi me të cilin do të përcaktohen kushtet dhe kriteret për përfitim, në mënyrë që së shpejti të hapet thirrja për aplikim.

Programi fokusohet në mbështetjen financiare përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike, si një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

Republika e Kosovës ka marrë obligime edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, përfshirë krijimin dhe mirëmbajtjen e një regjistri funksional të konsumatorëve të cenueshëm”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Asnjë koment

Comments are closed.