23-11-2024

150 euro kushtoi salla ku u mbajt mbledhja e Qeverisë në Prevallë

Gati një muaj pasi e mori detyrën e re, Kurti bashkë me 15 ministrat që e përbëjnë kabinetin e tij janë mbledhur për të punuar mbi programin qeverisës për periudhën 2020 – 2023, njofton Klan Kosova.

Të vetmit që folën pak më shumë rreth takimit që po zhvillohet ishin vartësit e Kurtit.

Zëvendëskryeministri i dytë i Kosovës, Haki Abazi tregoi se ministrat do të kenë mundësi të prezantojnë planet e tyre afatshkurtra dhe afatmesme të secili dikaster.

“Në pjesën e dytë të ditës do të dëgjojmë ministrat përsëri një nga një për prioritetet afatshkurtra, afatmesme që do të përcaktojnë gjithashtu planin veprues për javët në vazhdim”.

“Theks i veçantë është që përveç se ministrat tregojnë për prioritetet e tyre, gjithashtu do të shohim se ku janë pikat e bashkërendimit që duhet të ndodhin ndërmjet dy ministrive apo më shumë – që menjëherë të fillojmë me punën e koordinimit dhe çfarëdo ndihme që duhet të ketë secila ministri dhe secili ministër për të mos u vonuar në bashkërendimin e punëve që kërkojnë koordinimin e ministrive ndërmjet vete”.

E fuzionimi i ministrive sipas Abazit do të jetë një ndër sfidat e Qeverisë ngase sipas tij, duhet të bashkërendohen planet që ministritë kanë.

“Sigurisht që kemi shumë sfida me të cilat jemi duke u ballafaquar, por bashkërendimi i përbashkët besoj se shumë shpejtë do të arrihet në mënyrë që plani i punës të jetë i qartë, konkret dhe i cili do t’u prezantohet të gjithëve, edhe publikut edhe Kuvendit.

Haki Abazi mohoi se edhe çështja e reciprocitetit do të jetë temë diskutimi e kësaj mbledhje maratonike.

Ai tha se qeveritarët janë të fokusuar vetëm tek programi qeverisës.

“Absolutisht nuk ka asnjë gjë tjetër që është duke u diskutuar përveç kthimi i marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës dhe zbërthimi i saj në plan veprues dhe detyra e prioritete konkrete”.

Albin Kurti ka vendosur ta heq taksën me kushte, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që taska ndaj mallrave serbe dhe boshnjake të hiqet krejt, ashtu siç edhe po kërkon Amerika.

Asnjë koment

Comments are closed.