24-11-2024

17 punëtorë të Aeroportit të Gjakovës kanë kontrata, marrin paga, por nuk u lejohet hyrja aty

Vendimi i para tre muajsh i Qeverisë Haradinaj që Aeroporti i Gjakovës të kalojë për shfrytëzim te Ministria e Mbrojtjes pritët t’i kushtojë me humbje pune 17 punëtorëve të këtij aeroporti. Disa nga këta punëtorë kanë protestuar sot duke kërkuar që të dalin në vendin e punës, ndërkohë ministria e Zhvillimit Ekonomik sqaron se duhet pritur vendimin e Qeverisë, që rrjedhimisht varet nga mendimi ligjor i Gjykatës Kushtetuese.

Nëntë punëtorë që e kanë bërë sigurimin e Aeroportin të Gjakovës ka dy javë që nuk lejohen të hyjnë dhe ta kryejnë punën e tyre që i’u figuron në kontratë deri në vitin 2020. Kjo sepse me ardhjen e trupave të FSK-së, atyre i’u janë marrë gjitha kompetencat. Ndërsa, nga dita e nesërme dhe tetë punëtorë të tjerë të stafit menaxhues dhe teknik pritët t’iu ndalohet hyrja brenda aeroportit.

 

Pavarësisht motit të ligë që mbizotëronte në orët e hershme në Gjakovë, ish sigurimin e aeroportit, Sadri Tafën, nuk e pengoi që të shpreh revoltën për padrejtësitë, siç ai po pretendon se po i’u bëhen.

 

Duke i shprehur gjitha këto, ai për KosovaPress thotë se janë larguar prej pune pa asnjë paralajmërim dhe asgjë nuk i ka ardhur atyre me shkrim që 14 ditë.

Tafa adreson akuza dhe ndaj stafit menaxhues ku thotë se janë bërë selektime të punëtorëve, pasi një pjesë, ende lejohet ty hyjë brenda aeroportit.

“Prej datës 16 të këtij muaji ne jemi të larguar prej pune në mënyrë gojore. Problemi qëndron aty se neve nuk na është dhënë asgjë me shkrim. Një arsye e vetme që deri më sot nuk dalim në punë. Meqenëse ne kemi kontratën deri më vitin 2020. Jemi të punësuar gjithë kolegët që jemi këtu bashkarisht prej viti 2013, do të thotë se 6 vite, e neve se dy jave nuk na lejohet me hy brenda. Një shqetësim tjetër egziston tek na sidomos prej stafit menaxhues këtë rast drejtoreshës, po mendojmë ose supozojmë se është bërë një selektim, për shkak se një pjesë e punëtorëve janë, kurse një pjesë siç e shihni nuk lejohen të hyjnë brenda”, thotë ai.

Qartësim të situatës së tyre kërkon dhe punëtori tjetër i aeroportit, Sezai Kamberi.

“Qëllimi është vetëm me u qartësuar gjendja jonë se çka ka me u bë më tutje me neve. Asgjë me shkrim nuk kemi vetëm deklarata dhe fjalë…na jemi në punë mirëpo nuk jemi tu punu, ata po dëshirojmë të qartësohet gjendja jonë sa ma shpejt”, thotë ai.

Ndërkaq, gjitha akuzat për selektime të punëtorëve i mohon drejtoresha e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, teksa thotë se ajo nuk ka asnjë përgjegjësi edhe se prej ditës së nesërme, asaj, bashkë me punëtorët tjerë teknik do t’iu ndalohet hyrja në aeroport.

Për mosqartësimin e situatës dhe pozitës se tyre ajo ka akuzuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ka kërkuar që të respektohet ana ligjore e tyre pasi kanë kontratë deri më 30 prill të vitit 2020.

“Nuk janë veç me këta punëtor, jemi të gjithë punëtorët. Kur te referohem me aeroport të Gjakovës janë në pyetje 17 punëtorë…prej datës 16 me kërkesë të menaxhmentit për përfundimin e punëve administrative një pjesë e stafit iu ka lejuar nga Ministria Mbrojtjes me mbet në administratë me kusht deri më datë 31, deri nesër. Përndryshe, nesër vijnë dy ministritë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik me marrë dokumentacionin, ndërsa Ministria e Mbrojtjes me i marrë çelësat e atij objekti që jemi duke pritur punë. Deri sot në fakt edhe nesër MZHE ka pas një afat me na tregu çka me bo se nuk janë në pyetje vetëm këta që janë dal, sepse këtyre iu ka marr përgjegjësia prej datës 26 prill kur është publikuar vendimi i Qeverisë…ne qysh nesër nuk kemi qasje në aeroport, por pa punë ne nuk do të mbesim se për me mbet pa punë duhet ministria me të jap një dokument”, thotë ajo.

E krejt pasdite ka reaguar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Ai thotë se mbetet i padefinuar statusi i personelit të Ndërmarrjes Aeroporti i Gjakovës. Sipas tij, duhet pritur vendimin e Qeverisë, që rrjedhimisht varet nga mendimi ligjor i Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas vendimi të Qeverisë, është Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike ai që mund të dal me rekomandime të tjera drejtuar Qeverisë në lidhje me këtë proces. Bazuar në këtë vendimin, Komisioni Ndërministror që udhëhiqet nga unë, ka rekomanduar që konform vendimit për transformimn e këtij aseti, të sistemohen edhe të punësuarit e kësaj Ndërmarrjeje në Ministrin e Mbrojtjes, gjithsejt 17 persona. Kjo ka për qëllim që punëtorët të transferohen dhe të kenë punë më stabile dhe afatgjate. MZHE është në pritje të vendimit të Qeverisë që rrjedhimisht varet edhe nga mendimi ligjor i gjykatës kushtetuese që përcakton nëse mundemi të marrim vendime të tilla” thotë Lluka.

Por, thotë se deri në marrjen e vendimit të ri të Qeverisë, NP Aeroporti i Gjakovës do t’i përmbush të gjitha obligimet kontraktuale, përfshirë pagat e punëtorëve deri në përfundim të kontratave.

Asnjë koment

Comments are closed.