27-07-2024

18 të arrestuar për trafikim të armëve, aksioni edhe në Prizren

18 persona janë arrestuar nga Policia, si të dyshuar për trafikim me armë gjatë kontrollit në 27 lokacione të ndryshme në Kosovë.

Policia e Kosovës në një konferencë shtypi ka bërë publike detaje nga operacioni “Shënjestra”. Nënkolonel Rexhep Fetahu, drejtor i Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar, tha se janë kontrolluar 27 lokacione.

 

“Hetimet janë bërë ndaj një grupi të dyshuar për trafikim me armët. Kanë trafikuar armë nga Maqedonia ku kanë përdorur rrugët malore dhe brenda territorit kanë shpërndarë armët. Fokus i këtyre personave ka qenë trafikimi me armë, të cilat prodhohen në Turqi si armë me gaz. Disa prej tyre dalin në treg si armë gazi dhe disa të tjera modifikohen si armë zjarri”, tha ai.

 

Po ashtu janë konfiskuar 57 armë të kalibrave dhe llojeve të ndryshme, 9 mijë fishekë, dy vetura, 10 mijë euro dhe 25 celularë.

Ai bëri të ditur se operacioni është zhvilluar në 6 rajone, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Prizren dhe Pejë, teksa personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.

Asnjë koment

Comments are closed.