24-11-2024

ISMAJL I.KRYEZIU, NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Shkruan: Azem Ramadani

Ismajli ra në pritën e vënë nga forcat serbe. Qysh herët, që në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar është shquar për organizim dhe pjesëmarrje aktive, në protestat dhe demonstratat kundër represionit që ushtronte aparati policoro-ushatak serb, që atë kohë mbaheshin anembanë Kosovës.

Aktiviteti i tij nuk pushoi për asnjë çast, duke u angazhuar në veprime legale dhe ilegale, gjithmonë duke synuar në rezistencën aktive dhe luftën e armatosur,  që patjetër do të çonte, në çlirimin e Kosovës.

Në tërë aktivitetin atdhetar shquhej për një dhunti të veçantë. Ishte njohës i mirë i terrenit, ndërsa gjeturia e siguria e karakterizonin për të lëvizur nga një në vendin tjetër, duke kaluar kufij e shtigje të panjohura, nëpër republikat e ish-Jugosllavisë, në Shqipëri dhe më gjerë. Atë e kanë njohur shumë bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare kudo që ka shqiptarë dhe ka pasur kontakte me ta si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi.

Në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, në Kosovë filloi një lëvizje e rezistencës paqësore e quajtur “Alternativa”, periudhë kjo që u karakterizua me fillimin e luftërave të përgjakshme nëpër viset e Jugosllavisë,  të nxitura nga kasapi i Ballkanit,  Millosheviq.  Kjo bëri që edhe në Kosovë të mendohej për një rezistencë të armatosur, pasi në horizont dukeshin valët e luftës, që patjetër do të shkarkoheshin,  me një furi edhe me të madhe mbi popullin shqiptar.

Vlorë. Ismajl Kryeziu (në mes), Feti Hasani ( majtas) dhe Azem Ramadani ( djathtas) Fotografuar nga Bashkim Gashi

Vetëm naivet mund të mos e besonin këtë. Andaj, pjesë e përpjekjeve për një organizim të mirëfilltë të një rezistence të armatosur ishte edhe Ismajl Kryeziu. Përpjekje për organizime të strukturave mbrojtëse e të Ministrisë së Brendshme kishte si nga provinienca legale (LDK e qeveria në ekzil e Bukoshit) po ashtu edhe nga provinienca ilegale (LPK, LKÇK etj.) Por, këto struktura u zbuluan dhe u burgosen në pjesën më të madhe nga policia sekrete serbe.

Për veprimtarinë atdhetare të Ismajlit mund të shkruhet shumë, por në këtë shkrim do ta përshkruaj një rrugëtim në Shqipëri, në shtator 1992. Ne, disa shokë të Ismajlit, më vonë edhe bashkëveprimtarë të idealit dhe bashkëluftëtarë të tij, Feti Hasani, Bashkim Gashi dhe Azem Ramadani bëmë një vizitë në Shqipëri. Përveç Ismajlit, për ne ishte hera e parë në Shqipëri. Ndërkohë, me 1991 kishin ndodhur arrestime të anëtarëve të Frontit Popullor, anëtar i të cilit ishte edhe Ismaili, por për fat nuk ishte zbuluar. Për t’iu shmangur arrestimit nga policia serbe, shumë veprimtarë kishin gjetur strehim në Shqipëri.

Në Tiranë e Durrës patëm rastin të takoheshim me ushtarakë dhe strategë të njohur, si prof. S.Kuca, kolonel Petritin e aviacionit ushtarak shqiptar etj., që neve na lanë mbresa të pashlyeshme. Këtu u bindem se Ismajl Kryeziu kishte njohje paraprake me këta dhe shumë ushtarak të ushtrisë shqiptare. U takuam edhe me I.Kryeziun,  i cili ishte sekretar i Frontit Popullor, njëherësh kushëri i Ismajlit, e që për ta shmangur burgosjen në Kosovë ishte arratisur në Shqipëri. Takime dhe njohje patëm edhe me veprimtarin Abdyl Krasniqi (prindi i dëshmores Xhevë Lladrovci) e me veprimtarin Halil Alidema. Kaluam 5 ditë dhe vizituam disa qytete të Shqipërisë,  që na lanë mbresa të pashlyeshme edhe për faktin se të udhëtoje me Ismajlin ndjeje në vete, një siguri të madhe.

Bashkëveprimtarët homazhe për dëshmorin

Angazhimi i Ismajlit si në LPK, Frontin Popullor, por,  edhe në Partinë Parlamentare e në KMDLNJ ishte i pashoq. Me nisjen e luftës së UÇK-së,  në fillimvitin e 1998-ës policia serbe kërkoi atë në shtëpi për ta arrestuar, pasi disa shokë të Vrrinit dhe Tusuzit veçse ishin burgosur. Nga ky moment, Ismajli kaloi në ilegalitet duke iu bashkuar UÇK-së,  fillimisht si ndërlidhës i Shtabit të UÇK-së së Vrrinit, e më vonë Brigadës 125 të Zonës së Pashtrikut. Në këtë detyrë e gjeti edhe dita e kobshme e 18 prillit 1999, kur u rrethua nga forca te shumta serbe në një shtëpi në Arbanë. Me gjasë, nga policia serbe ishte zënë i plagosur,  ndërsa për fatin e tij nuk është ditur deri me 13 mars 2009 kur eshtrat e tij janë identifikuar në varrezat e qytetit të Prizrenit. Ismajl Kryeziu u varros me nderime të larta shtetërore, në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, me 18.03.2009.

Në Arbanën e tij, tashmë është ngritur një lapidar që e përjetëson kujtimin dhe veprën e dëshmorit, Ismajl Kryeziut.

Asnjë koment

Komento