Prizreni qytet historik

Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti, si një vend unik në Ballkan, për vlerat e trashëgimisë kulturore, të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme. Falë pozitës së favorshme gjeografike, gërshetimit harmonik të këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave, qyteti i Prizrenit me plot të drejtë mban epitetin e “qytetit muze”,”muzeut nën qiellin e hapur”apo edhe të “Dubrovnikut të Ballkanit”, për t’u radhitur si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës.

I vendosur rrëzë maleve të Sharrit,(që janë shpallur “park nacional”), në të dy brigjet e Lumbardhit dhe në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare mes lindjes dhe perëndimit, qyteti i Prizrenit, gjatë historisë ishte i njohur si qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike e diplomatike.

Në mes të Adriatikut dhe Egjeut

Në rrjedhën e shekujve,duke filluar nga periudha iliro-dardane, romake dhe ajo bizantine, Prizreni ishte njëri ndër stacionet kryesore në rrugën “Via de Zenta” që lidhte qytetet bregdetare të Adriatikut me qendrat tjera në brendi të vendit.

Duke u ndërlidhur me rrugën jugore “Via Egnatia”, që shkonte deri në Selanaik, ”Theranda”antike apo “Prizdriana”e kohës bizantine, ishte urë lidhëse në mes të brigjeve të detit Adriatik dhe atij Egje.

Seli e një Ipeshkvie bizantine, Prizreni më 1204 bie nën sundimin bullgar, ndërsa më 1282 pushtohet nga serbët. Në kohën e sundimit të mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni ishte qendër e rëndësishme fetare, politike e ekonomike.

www.shqiperia.com/Prizreni-djepi-i-trashegimise-kulturore.8511/