Sot mbushen 19 vjet nga vrasja e Ekrem Rexhës, i njohur si komandant “Drini”, autorët e të cilës nuk janë mësuar kurrë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Komandant Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.
Sipas deklaratave të pjesëtarëve të familjes dhe të policisë së UNMIK-ut, mbi trupin e tij janë zbrazur 17 plumba (tre në kokë dhe 14 në trup).
Ekrem Rexha ishte një ushtarak profesionist, një poliglot dhe një intelektual me njohuri poliedrike. Ai ka lindur në vitin 1961 në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Pas mbarimit të shkollimit fillor në Prizren, është regjistruar në Gjimnazin ushtarak në Beograd. Kurse Akademinë ushtarake-në gjininë e këmbësorisë e ka kryer në Sarajevë. Në vitin 1988 pati regjistruar studimet postdiplomike në lëminë e shkencave politike (marrëdhëniet ndërkombëtare).
Përveç njohurive të gjëra teorike e praktike të artit luftarak, kishte arritur të mësojë edhe shtatë gjuhë të huaja. Ka njohur anglishten, frengjishte, italishte, gjermane etj. Duke mos dëshiruar që t’i shërbejë interesave të një armate të huaj, pas fillimit të shthurjes së Jugosllavisë, ai kthehet në vendlindje, në mars të vitit 1993.
Gjatë luftës në Kosovë emërohet Komandant në Shtabin e Vërrinit, ku arriti të tubojë rreth vetit shumë atdhetarë. Ishte përherë i respektuar dhe i dashur për bashkëluftëtarët e tij. Duke parë nevojën e madhe të furnizimit të formacioneve të UÇK-së me armatim, ai me një kontigjent luftëtarësh shkon në Shqipëri, në shtator 1998.
Pas kthimit të tij nga Shqipëria, më 14 dhjetor 1998, Ekrem Rexha nga SHP i UÇK-së emërohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë qëndrimit të tij në fshatrat e komunës së Therandës dhe drejtimit të luftës nga ana e tij, atje ai kishte krijuar raporte të shëndosha në mes popullatës dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe kështu ai kishte admirimin e gjithë banorëve dhe luftëtarëve të kësaj ane, që edhe sot atje kujtohet me pietet. Drini ia rriti admirimin edhe UÇK-së me sjelljet e veta.
Duke parë nevojën e përgatitjes së stafit komandues, për të gjitha zonat e luftës dhe duke parë përgatitjen e shkëlqyeshme në lëmin e artit ushtarak, komandant Drini, me urdhrin e SHP të UÇK-së, emërohet Drejtor i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së. Në këtë detyrë të lartë pranë SHP të UÇK-së ka qëndruar deri në përfundimin e luftës.
Komandant Drini do të mbetet si njëra ndër figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare të UÇK-së. Për aftësitë e tij ushtarake për të janë thurur gjithfarë legjendash. Përmendet shpesh sidomos “kërcënimi” që si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut ua kishte bërë oficerëve të KFOR-it gjermanë në momentin e hyrjes së UÇK-së në Prizren se do të shkrinte dei në një 10 mijë ushtarët sa kishte thënë që i ka në rast se serbët që kishin bërë krime ndaj popullatës civile do të provonin të qëndrojnë këtu.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit. Rastin e vrasjes së “Drinit”, pritet ta trajtojë edhe Gjykata Speciale.
Nëna e komandant Drinit, Qamile Rexha, e ka thënë një lutje për ditën e vdekjes së saj: “Unë them se nëse gjendet kush e vrau, ju lus asnjë lot për mua mos e derdhni ditën kur vdes. Veç të gjendet kush e vrau,” është shprehur kohë më parë nëna Qamile, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Me mallin e babait janë rritur edhe dy fëmijët. Djali i madh është pagëzuar me nofkën e luftës, Drini ndërsa i dyti, Ekremi u lind 2 muaj e gjysmë pas vrasjes së babait.
E veja e “Drinit”, Hajrie Rexha, ka thënë për portalin se dëshira e saj jetësore është zbardhja e vrasjes së burrit, pasi duke njohur karakterin dhe sjelljen e tij të mirë me bashkëluftëtarë dhe familjarë, në asnjë mënyrë nuk mund t’i kuptojë motivet e vrasjes.
“Pas luftës, Drini nuk ka pëlqyer t’i sistemojë njerëzit që nuk kanë kontribuuar, por ata që ndihmuan lirinë e vendit duke i dhënë prioritet atyre me gjendje më të rëndë ekonomike”, kujton ajo për “Gazetën e Prizrenit”.
Komandant “Drini” ka themeluar Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Prizren, që ishte e para e këtillë në vend.
E plotësuar më 2020:
Ngritja e Memorialit
Më 23 tetor 2020, në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën“Adem Jashari”, tek hapësira në mini-parkun përballë selisë së Kuvendit të Komunës, të njohur si “Shtëpia e Bardhë” është bërë përurimi i Memorialit kushtuar komandant “Drinit”.
Pjesë e ceremonisëishte edhe nëna e tij, të cilës i pikonin lotët derisa qëndronte në karrocë para të birit të përjetësuar në vepër artistike, ndërkohë që në prapavijë dëgjohej himni kombëtar dhe duartrokitjet e shumta. /GazetaePrizrenit.net