20 vjet burgim dhe 330 mijë euro gjobë 5 të akuzuarve për mashtrimin e 176 blerësve të banesave
Gjyakata Themelore në Pejë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Estrida Bunjaku, Burim Vokrri, Vigan Bunjaku, Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani, për mashtrimin e 176 blerësve të banesave në Prishtinë, duke i dënuar me 20 vjet burgim dhe 330 mijë euro gjobë (së bashku).
Shpalljen e aktgjykimit e bëri të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, e akuzuara Estrida Bunjaku për veprën penale “Mashtrimi”, u dënua me 5 vite burgim, si dhe gjobë në shumën prej 20 mijë euro. Ndërsa, për veprën penale “Shpëlarje e parave”, u dënua me 3 vite e 2 muaj burgim, si dhe gjobë në shumën prej 100 mijë euro.
Konform nenit 80 të KPRK-së, gjykata Bunjakut i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 8 vite, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 120 mijë euro.
Në dënimin me burgim, të njëjtës do t’i llogaritet koha e kaluar në parabugrim nga 15 maji 2014 deri më 15 maj 2015, si dhe nga data 15 qershor 2022 deri më 16 maj 2023, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 16 maji deri më 19 tetor 2023.
Kurse, ndaj të akuzuarit Burim Vokrri, për veprën penale “Mashtrimi”, është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite, si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 10 mijë euro. Ndërsa, për “Shpëlarje të parave”, u dënua me 2 vite e 2 muaj burgim, si dhe gjobë në shumën prej 50 mijë euro.
Konform nenit 80 të KPRK-së, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 vite si dhe dënim me gjobë në shumën prej 60 mijë euro.
Të akuzuarit Vokrri, në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 15 qershori 2022 deri më 16 maj 2023, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 16 maji 2023 deri më 19 tetor 2023.
I akuzuari Vigan Bunjaku për veprën penale “Mashtrimi” është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite, si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 50 mijë euro.
Bunjkaut do t’i llogaritet koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 15 maji 2014 deri më 14 tetor 2014, si dhe koha e kaluar në paraburgim nga 15 qershori 2022 deri më 16 maj 2023, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 16 maji 2023 deri më 19 tetor 2023.
Ndërsa, i akuzuari Xhemajl Arifi për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 2 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë.
Po ashtu, i akuzuari Valon Orllani për veprën penale “Shpëlarja e parave” u dënua me 2 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë.
Gjykatësja Husaj-Rugova tha se trualli në fshatin Llukar, Komuna e Prishtinës, do të konfiskohet.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit nuk janë gjetur fajtorë për veprën penale “Krimi i organizuar”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 15 qershor 2022, i kishte shpallur fajtorë pesë të akuzuarit për mashtrimin e 176 blerësve të banesave, Estrida Bunjakun, Burim Vokrrin, Vigan Bunjakun, Xhemajl Arifin dhe Valon Orllanin, duke i dënuar (së bashku) me 30 vite burgim dhe 450 mijë euro gjobë. Kurse, Faton Orllani ishte liruar nga aktakuza për veprën penale “Pastrim parash”.
Por, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, duke refuzuar akuzën ndaj të akuzuarës Estrida Bunjaku për veprën penale” Shmangie nga tatimi” dhe duke aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Valon Orllani, dhe Xhemajl Arifi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkoheshin me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.
Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendonte se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.
Prokuroria pretendonte se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para-kontratë 12-18 muaj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.
Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.
E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohej edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.
Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohej me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.