24-11-2024

20 vjet nga beteja e parë e UÇK-së në komunën e Prizrenit

16 Korriku i vitit 1998 shënon betejën e parë në mes të ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe, në komunën e Prizrenit.  Në rajonin Vrrinit, të shpallur zonë e lirë e UÇK-së, forcat e mëdha serbe patën ndërmarrë një ofensivë kundër pozicioneve të UÇK-së, por pas luftimeve të ashpra u zmbrapsen me humbje, shkruan “GazetaePrizrenit.net”

Në ditarin e luftës të kësaj date,  Remzi Ademaj, komandant Petriti  (tash Hero i Kosovës) shkruan: “Për shtabin tonë kjo është ditë historike, sepse rreth orës 13:30 forcat pushtuese të okupatorit tentuan të hyjnë nga lagjja Tusus, në drejtim të Leskovecit, të Lybeçevës, dhe në drejtim të fshatit Hoçë e Qytetit.

Forcat ushtarake të UÇK-së filluan sulmin mbi ta. Kjo ishte dita e parë e  konfrontimit në mes të dy forcave. Petritët e UÇK-së, që në start e dhanë provimin e tyre. Lufta zgjati 3 orë e 40 minuta. Nga ana e ushtarëve të UÇK-së nuk ka pasur as të vrarë e as të lënduar, ndërsa forcat e armikut u ndanë me humbje.

Pas betejës, në fytyrat e ushtarëve të UÇK-së dallohej krenaria. Një gjë e tillë dallohej edhe tek fshatarët.

Pika në Hoçë të Qytetit ishte në përgjegjësinë e Batalionit të parë, të cilin e komandonte Zafir Berisha, i cili kujton se atë ditë ishte me Remzi Ademajn dhe Xhevat Berishën në selinë e Shtabit në Jeshkovë,  për konsulta rreth aktiviteteve, derisa krismat e luftimeve ishin dëgjuar, duke u përhapur edhe tek Kulla e Hoçës dhe Laku i Billushës.

“Xhevati u nis menjëherë me një pjesë të ushtarëve të Policisë Ushtarake për në Tusuz, ndërsa unë për tek Kulla e Hoçës, kurse Remziu shkoi në drejtim të pozicioneve nga ku vërehej e gjithë vija e zjarrit. Pasi arrita në vijat e frontit, pashë se forcat serbe me artileri granatonin pozitat tona në Billushë, për të penguar njësitet e UÇK-së nga ai fshat të vinin për ndihmë në Hoçë të Qytetit, sepse pozita gjeografike i favorizonte shumë forcat tona atje. Mora disa nga luftëtarët e Kompanisë së Billushës dhe futemi nga pjesa mbrapa forcave të armikut dhe i sulmojmë në befasi. Forcat serbe me panik largohen në bazat e tyre”, kujton ai.

Pika në lagjen Tusus ka qenë përgjegjësi e Batalionit të parë, ndërsa Naser Berisha, komandant  deklaron se në kohën kur u zhvilluan luftimet e kësaj dite, në këtë pikë nuk kanë pasur shumë municion dhe për të kursyer është dashur të qëllojnë me të shtëna një nga një. “Luftimet ka qenë të afërta, deri në 100 metra distancë, por qëndresa e luftëtarëve të tij, që tentuan të hyjnë u penguan ta bëjnë këtë, dhe më vonë të zmbrapsen me arsenalin e tyre luftarak”, tregon ai.

Në Tusuz, përveç Xhevatit  ishin edhe Selajdin Berisha dhe Agim Shala, që të dy heronj të Kosovës.

Bashkim Gashi, ish-sekretar i KMDLNJ-së kujton se pas ndërprerjes së luftimeve së bashku me Masar Shalën janë nisur për në fshatin Hoçë, ndërsa rrugës kanë takuar pjesëtarë të shumtë të forcave serbe, të cilët ktheheshin për në Prizren.

“Në hyrje të fshatit, pjesëtarët e UÇK-së lëshonin istikamet dhe u tubuan në fshat duke uruar fitoren. Aty ishin tubuar edhe fshatarët e entuziazmuar, për fitoren ndaj forcave serbe. Pasi morëm informacionet e nevojshme u kthyem në Prizren, ku përpiluam informatën dhe ua shpërndamë gazetarëve”, thotë ai.

16 korriku 1998, përpos që ishte një ditë lufte e ashpër, ishte edhe një ditë e nxehtë dhe me diell, ku vapa dhe tymi i barotit që dilte nga grykat e pushkëve e bënte të vetën, dhe nevojën për ujë në buzët e thara të djemve të lirisë.

Një ditë më pas, (17.7. 1998) një grup i gazetarëve, me të cilët ishte edhe veprimtari Masar Shala, vizituan fshatrat e Vrrinit, ku kishin ndodhur luftimet, për të raportuar më gjerësisht për betejën e zhvilluar. /GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.