05-05-2024

20 vjet nga djegia e Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (FOTO)

20 vjet më parë, kur rajoni i Prizrenit po përjetonte terror nga forcat serbe, të cilat ishin egërsuar edhe më shumë pas fillimit të intervenimit ushtarak nga NATO ndaj forcave të Millosheviqit, mbrëmjen e 27 marsit 1999, kriminelët serbë dogjën Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke kryer aktin e qëllimshëm e makabër ndaj trashëgimisë sonë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kjo është bërë jo vetëm për të shkaktuar frikë tek popullata, që këtë akt e përjetoi si djegie të një pjese shpirtërore, por edhe me qëllim të zhdukjes së dokumentacionit historik në të cilën ruhet kujtesa e popullit shqiptar. Më këtë rast u dogjën 188 dokumente me vlera historike, përfshirë gjësende personale dhe eksponate tredimensionale të cilat ishin të ekspozuara në Muze deri natën kritike.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP) është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ajo ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, pas kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Ky objekt që është emblemë e shqiptarisë, ndërsa Prizreni edhe e ka të faktuar në logon e komunës, prej vitesh ishte halë në sy për regjimin serb, që kulminacionin e arriti me djegien e Muzeut e më pas fshirjen e gjurmëve, duke e pastruar vendin, të cilin e kthyen në vend të mbjellë me lule.

Parim Kosova, historian dhe përgjegjës i LSHP-së, lidhur me djegien e muzeut ka shkruar se më 27 mars 1999,  rreth orës  20 e 50 minuta, kriminelët serbë me dy predha tromblloni e kanë goditur katin përdhes të Muzeut. “Shpirti i madh i kulturës dhe i historisë sonë kombëtare po i bënte sfidë terrorit barbar serb”.

Sipas tij, kriminelët u rikthyen edhe një herë te Kompleksi historik, ndërsa brenda objektit u dëgjuan dy eksplodime të njëpasnjëshme, kurse eksplodimi i tretë ishte edhe më i fuqishëm,  andaj Muzeu, së bashku me eksponatet filloi të digjet.

Banorët e kësaj lagjeje edhe sot i përkujtojnë me dhimbje të madhe ato momente rrëqethëse. “…Nuk u dogj vetëm një pjesë e historisë, por edhe një pjesë e shpirtit tonë… Me këtë akt u provua të zhduken dokumentet dhe eksponatet të selisë së Shtetit të parë shqiptar të kohës moderne”, thonë ata.

Ish-sekretari i Këshillit për të drejtat e njeriut në Prizren, Bashkim Gashi duke kujtuar momentet se si e kishte përjetuar aktin e djegies thotë: “kur e pashë Shtëpinë e Lidhjes të djegur mendova se serbët kanë vendosur të zhdukin çdo gjë shqiptare. Ndjeva dhembje për eksponatet e djegura, të cilat nuk mund të zëvendësohen, dhe se ky është një ndër krimet më të rënda ndaj trashëgimisë sonë historike”.

Ai thotë se pasi ka marrë disa informata nga fqinjët ka përpiluar raportin lidhur më këtë akt makabër.

Kadri Kryeziu, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit pas çlirimit, kujton se në mbledhjen e Këshillit Komunal të Prizrenit, u mor vendimi për rindërtimin e Shtëpisë së LSHP-së, e cila u ndërtua me një afat rekord, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Më 28 nëntor 1999, u bë inaugurimi i Shtëpisë së rindërtuar, ku në ceremoni mori pjesë një numër i madh i personaliteteve politike, kulturore dhe qytetarëve nga mbarë trojet shqiptare, që kremtuan 28 Nëntorin e parë në Kosovën, tashmë të lirë.

Në mesin e personalitete që morën pjesë ishte edhe Joseph DioGuardi, përfaqësues i lobit të shqiptarëve në SHBA.

Rindërtimi i Muzeut të LSHP-së u bë nga donacionet e afaristëve, për çka Kryeziu flet me admirim. “Isha jashtëzakonisht i nderuar që arrita për një kohë të shkurtër ta rindërtoj këtë monument kulturo-historik”, shprehet ai.

Duke pasur parasysh vlerën e madhe historike dhe kombëtare të Kompleksit të LSHP-së, pas angazhimit të menjëhershëm dhe hartimit të projekteve u meremetua Galeria e Arteve Figurative, njëkohësisht me sukses u bë edhe rekonstruksioni i Muzeut. Për nder të 122-vjetorit të LSHP-së, më 10 qershor 2000, u bë edhe rihapja e Muzeut Historik.

Përgjegjësi i Kompleksit, P. Kosova në korrik të vitit 2002, në Zyrën e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në Prishtinë,  bëri padinë për djegien e Lidhjes së Prizrenit, por që deri tash nuk është marrë parasysh. Kallëzimi penal është bërë ndaj 11 personave,  që dogjën dhe shkatërruan monumentin më të çmuar të shqiptarëve. Pos argumenteve tjera, Zyrës në fjalë i është dorëzuar edhe një kasetë e videos, në të cilën është incizuar largimi i gërmadhave të Muzeut me ekskavator, më 30.03.1999.

“Në rastin e paraqitjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë duhet të jetë edhe ky kallëzim penal, ndërsa pjesë e shumë dëshmive janë edhe fotot e atyre pjesëtarëve të formacioneve serbe që kryen aktin kriminal”, shprehet Kosova.

Ndërkaq, Muzeu i LSHP-së ka ushtruar kallëzim penal në prokurorinë e Qarkut në Prizren, kundër Zoran Gariçit, ish-drejtorit të dhunshëm të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në Prizren.

Në 18-vjetorin e djegies, në Kompleksin Monumental ishte hapur ekspozita e autorit Parim Kosova, ku nëpërmjet fotografive tregohej djegia e këtij kompleksi nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë. Projekti pasqyronte Muzeun Historik të LSHP-së, eksponatet e djegura si dhe si dhe shkatërrimin e shtatoreve që kanë qenë të vendosura në oborrin e Kompleksit të LSHP-së.

Rezultate imazhesh për Ekspozita per djegien e Lidhjes SHqiptare

Në vitin 2018, në vargun e aktiviteteve me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kontekstin e shënimit të 28 Nëntorit, sipas projektit të Qeverisë së Kosovës në hapësirën e Kompleksit u rivendosen shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit.

Pos udhëheqësve më të lartë shtetëror nga Kosova e Shqipëria, në ceremoninë  e organizuar morën pjesë dhe ata shqiptarë nga Maqedonia.

Për fat të keq, sot e kësaj dite askush nga kriminelët e “mesjetës” moderne nuk është dënuar për aktin e djegies së rezidencës së Qeverisë së përkohshme shqiptare, pra Muzeut të Lidhjes. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.