20-04-2024

20 vjet nga masakrimi i 77 martirëve në Korishë

Banorët e fshatit Korishë dhe të rrethinës sot përkujtojnë përvjetorin e 20-të të sakrificës dhe të dhembjes së madhe.

13 maj 1999 shënon datën kur gjatë fazës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, disa banorë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq humbën jetën, pasi ishin përdorur si mburojë e gjallë nga serbët përballë sulmeve ajrore të avionëve bombardues të NATO-s, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Dëshmitarët kanë thënë se 77 martirët janë vrarë nëpërmes dorës çetnike, në kurthin e ngritur nga militarët serb, duke e mashtruar aviacionin e NATO-së.

Nga kjo masakër e kurdisur e forcave paramilitare, natën e kobshme humbën jetën 44 anëtarë nga familjet Ahmetaj, 12 nga familjet Kukaj, 4 të tjerë nga familja Dakaj, 3 nga ajo Xhaferi, 1 anëtarë nga familja Rexhaj.

Në kolonën, që ishte mashtruar gjoja për t’u shpërngulur për në Shqipëri kishte edhe nga fshatrat tjera, si familja Suka nga Bllaca, që humbi 7 anëtarë , ajo Palushi nga Budakova që humbi 4 anëtarë, pastaj familja Bejselami nga Reshtani humbi 3, si dhe familjet: Behluli (Mushtisht), dhe Selimi (Grejkoc), që humbën nga një anëtar.

Në kujtim të kësaj ngjarje, që pat rrëqethur botën, banorët e kësaj ane kanë thënë se nuk do ta harrojnë kurrë tmerrin, që mori shumë nga të dashurit e tyre.

Përfaqësues të këshillit organizativ të tubimit përkujtimor kanë theksuar se kjo ditë përkujton dhembjen e madhe shpirtërore për banorët e kësaj ane, pasi janë viktimizuar të gjitha shtresat e popullatës, pa dallim moshe e gjinie, duke filluar nga foshnjat e deri tek më të moshuarit.

Në orën 12:00 pranë Memorialit të Martirëve do të mbahet Manifestimi përkujtimor. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në tubim./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.