18-04-2024

20 vjet nga rënia heroike e komandant “Petritit”- simbolit të lirisë

U mbushën 20 vjet nga rënia heroike e Remzi Ademajt – komandant “Petritit” në përleshje me forcat serbe, në një pritë të ngritur, në kryqëzimin e rrugëve Atmaxhë – Nashec -Grazhdanik me ç’rast automjeti me të cilin po udhëtonte u sulmua nga disa drejtime, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Rënia e komandant “Petritit” u përjetua si humbje e madhe. Në komunikatën e Shtabit të UÇK-së për Prizren, nr. 2 të datës 16.08.1998,  njoftohej opinioni për rënien heroike të komandantit, njëkohësisht ftohej populli shqiptar, “që të qëndrojë pa luhatje në ballë të furtunës së agresorit serb, dhe që t’i ngjeshte më fort radhët drejt përpjekjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar”.

Remzi Ademaj ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Në Gjermani bashkëpunoi ngushtë me vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Për veprimtarinë kombëtare, në vitin 1986, Gjykata e Qarkut në Prizren e dënoi me 6 vjet burgim, të cilin e vuajti në burgjet jugosllave. Në Burgun e Stara Gradishkës, Remziu vuajti dënimin së bashku me simbolin e rezistencës Adem Demaçin, me të cilin gjatë tërë kohës qëndruan afër.

Pas kthimit nga burgu, Remziu e vazhdon veprimtarinë atdhetare. Themeloi dhe udhëhoqi me sukses degën e shoqatës humanitare “Nënë Tereza” në Zhur. Aktiviteti i tij në shoqatë është vlerësuar i një rëndësie të veçantë, jo vetëm nga drejtuesit e shoqatës, por edhe nga banorët e Zhurit dhe rrethinës.

Iu bashkëngjit karvanit të pajtimtarëve të gjaqeve, duke dhënë kontribut konkret në pajtimin e disa hasmërive, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Nga viti 1991 drejtoi Nënkëshillin e KMDLNJ-së në Zhur, të cilin në qendër e udhëhiqte veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi. Aktivistët e KMDLNJ-së ishin të përfshirë në promovimin dhe mbështetjen e rezistencës kombëtare. Bashkëpunimi i Remziut me drejtuesit e KMDLNJ-së në Prizren ishte i rregullt.

Në vitin 1996 në kryesinë e KMDLNJ-së u zgjodhën veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare,  të vetëdijshëm se çlirimi i Kosovës nuk do të vije vetvetiu. Në mesin e veprimtarëve që kishin besim në forcën shqiptare për liri ishte edhe Xhevat Berisha (tash Hero i Kosovës) dhe Ismail Kryeziu (dëshmor). Në këtë kohë bashkëpunimi i Remziut me ta u shtua, sidomos rreth përgatitjeve për rezistencë të armatosur.

Në fillim të korrikut 1998,  Remzi Ademaj caktohet komandant i Shtabit të UÇK-së për Prizren. Me angazhimin e tij të përkushtuar arriti që për një kohë shumtë shkurtër ta organizojë shtabin si ushtarakisht ashtu edhe në logjistikë. Kësisoj filloi funksionimi i spitalit ushtarak, qendrës stërvitore dhe asaj të ndërlidhjes. Në këtë kohë u vërejt një përkrahje e gjerë nga popullata për ushtarët e lirisë.

Më 16 korrik 1998 ndodhi beteja e parë, në mes të pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe në rajonin e Vrrinit. Në ditarin e luftës së kësaj datë, komandant “Petriti” shkruan: “Për shtabin tonë, kjo është një ditë historike se Petritët e UÇK-së në start e dhanë provimin e tyre duke mundur forcat e armikut. Pas betejës në fytyrat e ushtarëve të UÇK-së dallohej krenaria e fitores”. /GazetaePrizrenit.net/.

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.