21 vite nga barbaria serbe ndaj shqiptarëve në Korishë

Sot mbushen 21 vite nga “Dita e Martirëve” në Korishë, e njohur ndryshe si masakra e tmerrshme nga ushtria dhe policia serbe mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të kësaj ane.

Më 13 maj 1999 ranë 77 qytetarë të moshave të ndryshme gra, burra, pleq e plaka dhe 14 fëmijë që ishin nxënës të shhkollës fillore ”Dëshmorët e Kabashit”.

Kjo ishte një nga masakrat më të tmerrshme nga ushtria dhe policia serbe mbi popullatën e kësaj ane dhe fshatrave përreth duke i ndalur civilët e fshatrave Korishë, Budakovë, Bllacë, Reshtan , Mushtisht, dhe Grejkoc

Forcat serbe përdorën banorët e Korishës si mburojë kundër bombardimeve të NATO-s.

Nga masakra e kurdisur u martirizuan këto familje: nga familjet Ahmetaj 44 anëtarë, nga familjet Kukaj 12 anëtarë, nga familja Dakaj 4 anëtarë, nga familja Xhaferi 3 anëtarë, të familjes Rexhaj 1 anëtar, kurse nga fshatrat tjera të cilët humbën të dashurit e tyre janë: familja Suka, nga Bllaca, që humbi 7 anëtarë , familja Palushi-Budakovë 4 anëtarë,  familja Bejselami nga Reshtani humbi 3 anëtarë dhe familjet  Behluli-Mushtisht, dhe ajo Selimi-Grejkovc, humbën nga 1 anëtar, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Për shkak të Pandemisë, kjo ngjarje sivjet  shënohet me aktivitetet më të reduktuara.

Kryesia e fshatit Korishë ka marrë vendim, që për shkak të situates të krijuar nga Covid-19 të pezullohen aktivitetet për nder të “Ditës të Martirëve”.

Në përkujtim saj, Bashkësia Lokale e Korishës, do të vendosë kurorë pranë Memorialit të Martirëve, sot në ora 11.00,

“Duke kërkuar mirëkuptim për situatën e krijuar nga coronavirusi, ftojmë qytetarët e Korishës t’i respektoj vendimet për ndalimin e organizimeve të tubimeve përkujtimore”, thuhet në njoftim./GazetaePrizrenit.net