220 persona aplikojnë për azil në Kosovë, këta janë shtetasit që prijnë me kërkesa
220 persona kanë aplikuar për azil në Kosovë, që nga janari e deri më tani.
Sipas të dhënave të MPB-së, në mesin e azilkërkuesve, dominojnë shtetasit e Egjiptit.

Nga janari deri në shtator, 59 shtetas egjiptianë kanë aplikuar për azil në Kosovë, statistika këto, të ndjekura nga azilkërkuesit me pasaportë sudaneze: gjithsej 47.
28 shtetas turq kanë aplikuar për azil në Kosovë, njëjtë sikurse 13 shtetas sirianë e 23 të tjerë jordanezë.
Nga Palestina ishin 12 persona që kërkuan t’u ofrohej statusi i azilit në Republikën e Kosovës.

Ndërkohë, MPB-ja ka bërë të ditur se kishte edhe të tillë që u janë refuzuar kërkesat, bashkë me ata që kanë përfituar statusin e refugjatit, ose të mbrojtjes plotësuese.
“Sa i përket vendimmarrjes dhe përfundimit të procedurave, gjatë vitit 2026 janë regjistruar 13 refuzime të kërkesave për azil, ku përfshihen edhe kërkesa të bartura nga viti paraprak, 16 persona kanë përfituar statusin e refugjatit, ndërsa 4 persona kanë përfituar Mbrojtje Plotësuese” deklaroi MPB për IndeksOnline.
Nga Ministria pohojnë se janë regjistruar 147 raste të ndërprerjes së procedurës, bashkë me 26 raste të ndërprerjes vullnetare.

“Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2025, kur ishin regjistruar 130 kërkesa për azil, në periudhën janar–shtator 2026 janë regjistruar 220 kërkesa” deklaron MPB-ja.
Nga ky institucion nuk kanë bërë të ditur arsyet e paraqitjes së kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, duke i mbajtur në konfidencialitet të plotë, në përkim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar.
Në anën tjetër, MPB-ja ka ndarë detaje edhe mbi fluksin në qendrën e azilit.
“Kapaciteti i përgjithshëm i Qendrave të Azilit në Kosovë është 250 persona. Aktualisht, në Qendrën e Azilit në Magure janë të akomoduar gjithsej 22 persona” deklaroi MPB-ja.
E pyetur nëse kanë informacion mbi numrin e azilantëve që po punojnë në Kosovë, MPB-ja nuk ka ndarë detaje, njëjtë sikurse nuk është bërë e ditur mbi numrin eventual të shtetasve të huaj që po shfrytëzojnë lejen e qëndrimit në Kosovë për të kërkuar lëmoshë.
Azili në Kosovë rregullohet nëpërmjet Ligjit Për Azil dhe është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Vendimmarrjen në shkallën e parë e bën Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, si dhe Departamenti për Natyralizim, Azil dhe Migrim./IndeksOnline
