226-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit, përpiluesi i alfabetit dhe abetares së parë shqipe
Sot shënohet 226 vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit, ideologut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtarit të shquar, illuministit e veprimtarit të shkollës shqipe.
Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.
Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.