Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e pati frymëzuar rininë studentore edhe në Prizren. Pas dëbimit të studentëve shqiptarë prej objekteve shkollore e universitare, veprimtarinë patriotike si në rrafshin kulturor ashtu edhe në atë luftarak e vazhdon grupi i Unionit të Pavarur të Studentëve (UPS), ku bënin pjesë: Leonora Morina, Jehona Krasniqi,Behare Tafallari, Nijazi Kryeziu, vëllezërit Haqif e Sherif Ilazi, Bilbil Duraku, Defrim Rifaj dhe Sejdi Bellanica, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Arrestimi i tyre është bërë në grupe të ndara. Disa janë arrestuar në zyrat e UPS në Prizren, disa në afërsi të shkollës fillore “Lekë Dukagjini”, ndërsa Sherif Ilazi në shtëpi.
Gjykata e atëhershme e regjimit serb në Prizren, në gusht 1998 për veprën penale “Bashkim për veprimtari armiqësore” (terrorizëm),vajzat i ka dënuar me nga 2 vjet burg, ndërsa djemtë janë dënuar prej 2 deri në 7.5 vjet burgim. Vëllezërit Ilazi janë dënuar edhe për armëmbajtje pa leje.
Vajzave u është ngarkuar edhe vepra për organizimin e kursit të Ndihmës së Parë me qëllim të ofrimit të ndihmës ndaj UÇK-së. Pas ndërhyrjes së organizatës ndërkombëtare“ Amnesty Intenational” ato janë liruar pas 6 muajsh, nga Burgu i Lipjanit.
Djemtë e kanë vuajtur dënimin në Burgun e Prizrenit, Lipjanit, të Dubravës, Pozharevcit, atë të Beogradit, etj, ku kanë përjetuar dhunë e tmerr gjatë intervistimit në zyrat e sigurimit shtetëror në Stacionin Policor në Prizren.
Ndaj tyre ishte bërë presion i madh psikologjik dhe fizik për të mësuar rreth aktivitetit dhe ndihmës dhënë UÇK-së.
Veprimtari e tashmë anëtari i Kuvendit të Prizrenit, Shukri Quni thotë se në një takim ka dëgjuar teksa ish-mësuesi Xhevat Berisha (tash Hero i Kosovës) që ishte liruar nga Burgu i Prizrenit, në verë të vitit 1998 kishte kërkuar nga komandanti i Shtabit të UÇK-së për Prizren, Remzi Ademaj (tash Hero i Kosovës), që të bënin një plan për nxjerrjen e studenteve nga burgu për shkak të maltretimit pamëshirë të tyre, të cilën e kishte dëgjuar gjatës kohës sa ishte në burg. Kjo nuk ishte e mundur, për shkak të kontrollit të rreptë të policisë ndaj institucioneve përreth stacionit policor dhe gjykatës.
Studentët e mbetur në burg përjetuan edhe masakrën nga forcat serbe në Burgun e Dubravës, më 19 maj 1999.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ata janë liruar nga burgjet e Serbisë. Të fundit prej tyre, në mars të vitit 2001 janë liruar Nijazi Kryeziu e Haqif Ilazi. /GazetaePrizrenit