18-04-2024

23 vjet nga masakra në ” Tusus” të Prizren

Të enjten, nga familjarë të martirëve dhe përfaqësues të pak institucioneve, është përkujtuar 23 vjetori i masakrës së Tusuzit.

Jehona Abdylmexhiti- Thaçi, ende i kujton storiet e tmerrit të 26 Majit të vitit 1999, kur forca të shumta të armikut kryen masakër në lagjen Tusuz, duke vrarë e masakruar 27 civilë të pafajshëm. Asaj, armiqtë gjakpirës ia vranë babanë, dy vëllezër, xhaxhain dhe familjarë të tjerë.

Ajo rrëfen për tmerrin, ku njësitet kriminale serbe, i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët dhe pa mëshirë i ekzekutuan dhjetëra meshkujë të moshave të ndryshme. Atë e shqetëson fakti se ende kriminelët nuk e kanë marrë dënimin e merituar nga drejtësia për krimet e tyre ç’njerëzore.

Nga kjo masakër, ka humbur babanë e tij edhe, Islam Thaçi. Ai thotë se ka ofruar dëshmi të shumta për këtë masakër, por fatkeqësisht as institucionet vendore e as dhe ato ndërkombëtare, nuk kanë shprehur fare interesim, për të vënë para drejtësisë autorët e krimeve të përgjakura ndaj civilëve të pafajshëm në Tusuz, raporton tv Prizreni.

Martirët e Tusuzit, janë nderuar edhe nga kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit, Antigona Bytyçi, e cila tha se, kjo masakër ishte edhe si rrjedhojë e hakmarrjes që tentonin të bënin armiqtë, nga humbjet që iu shkaktoheshin atyre, pasi kishin hasur në një rezistencë të madhe nga njësitet e UÇK-së. Edhe kreu i OVL të UÇK-së në Prizren, Selim Krasniqi, tha se masakra ndaj civilëve e kryer nga serbët në këtë lagje, dëshmon për barbaritë e tyre të paskrupullta ndaj shqiptarëve.

Gjatë luftës, lagjja Tusuz ishte njëra nga bazat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe luajti një rol të rëndësishëm në masovizimin e radhëve të UÇK-së për zonën e Vërrinit, prandaj kjo lagje si e tillë ishte bërë halë në sy për regjimin pushtues serb. Në muajt mars – maj 1999, në kohën kur forcat miltare dhe paramilitare serbe me dhunë shpërngulnin popullatën shqiptare për në Shqipëri, Tusuzi ishte shndërruar në një çerdhe të fuqishme për UÇK-në, dhe prandaj shumica e banorëve të saj nuk i lëshuan shtëpitë e tyre.

Asnjë koment

Comments are closed.