24-11-2024

26 vjet nga rënia heroike e Remzi Ademajt “Petriti”- simbolit të lirisë

Më 15 korrik 1998, gjatë një lufte të pabarabartë, por titanike me forcat serbe, ra heroikisht Remzi Ademaj – komandant “Petriti”. Përderisa po kthehej nga Kleçka, në kryqëzimin e rrugëve Atmaxhë, Nashec-Grazhdanik të Prizrenit, në një pritë të ngritur automjeti me të cilin po udhëtonte ai, u sulmua nga disa drejtime. Rënia e komandant “Petritit” u përjetua si humbje e madhe, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Në komunikatën e Shtabit të UÇK-së për Prizren, nr. 2 të datës 16.08.1998, njoftohej opinioni për rënien heroike të komandantit, njëkohësisht ftohej populli shqiptar, “që të qëndrojë pa luhatje në ballë të furtunës së agresorit serb, dhe që t’i ngjesh më fort radhët drejt përpjekjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar”. Trupi i tij varroset me nderime të larta ushtarake, në fshatin Lybeqevë (Malësi e Vrrinit) me 16 gusht 1998. Pas përfundimit të luftës, ai u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Landovicë.

Remzi Ademaj ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Në Gjermani bashkëpunoi ngushtë me vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Për veprimtarinë kombëtare, në vitin 1986, Gjykata e Qarkut në Prizren e dënoi me 6 vjet burgim, të cilin e vuajti në burgjet jugosllave. Në Burgun e Stara Gradishkës, Remziu vuajti dënimin së bashku me simbolin e rezistencës Adem Demaçin, me të cilin gjatë tërë kohës qëndruan afër. Pas kthimit nga burgu, Remziu e vazhdon veprimtarinë atdhetare. Themeloi dhe udhëhoqi me sukses degën e shoqatës humanitare “Nënë Tereza” në Zhur.

Aktiviteti i tij në shoqatë është vlerësuar i një rëndësie të veçantë, jo vetëm nga drejtuesit e shoqatës, por edhe nga banorët e Zhurit dhe rrethinës. Iu bashkëngjit karvanit të pajtimtarëve të gjaqeve, duke dhënë kontribut konkret në pajtimin e disa hasmërive. Nga viti 1991 drejtoi Nënkëshillin e KMDLNJ-së në Zhur, të cilin në qendër e udhëhiqte veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi. Aktivistët e KMDLNJ-së ishin të përfshirë në promovimin dhe mbështetjen e rezistencës kombëtare. Bashkëpunimi i Remziut me drejtuesit e KMDLNJ-së në Prizren ishte i rregullt. Në vitin 1996 në kryesinë e KMDLNJ-së u zgjodhën veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare,të vetëdijshëm se çlirimi i Kosovës nuk do të vije vetvetiu.

Në mesin e veprimtarëve që kishin besim në forcën shqiptare për liri ishte edhe Xhevat Berisha dhe Ismail Kryeziu (tash heronj të Kosovës). Në këtë kohë bashkëpunimi i Remziut me ta u shtua, sidomos rreth përgatitjeve për rezistencë të armatosur. Në fillim të korrikut 1998, Remzi Ademaj caktohet komandant i Shtabit të UÇK-së për Prizren.

Me angazhimin e tij të përkushtuar arriti që për një kohë shumtë shkurtër ta organizojë shtabin si ushtarakisht ashtu edhe në logjistikë. Kësisoj filloi funksionimi i Spitalit Ushtarak, Qendrës Stërvitore dhe asaj të Ndërlidhjes. Në këtë kohë u vërejt një përkrahje e gjerë nga popullata për ushtarët e lirisë. Më 16 korrik 1998 ndodhi beteja e parë, në mes të pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe në rajonin e Vrrinit.

Në ditarin e luftës së kësaj date, komandant “Petriti” shkruan: “Për shtabin tonë, kjo është një ditë historike se Petritët e UÇK[1]së në start e dhanë provimin e tyre duke mundur forcat e armikut. Pas betejës në fytyrat e ushtarëve të UÇK-së dallohej krenaria e fitores”. Për të nderuar veprën e tij, në qendër të Prizrenit, para objektit të PTK-së është ngritur Monumenti i Lirisë, ku ndodhet edhe shtatorja e heroit Remzi Ademaj.

Emrin e tij e mban njëra nga shkollat e mesme, përkatësisht gjimnazi i përgjithshëm, sikurse edhe njëra nga rrugët në qendër të Prizrenit. Po ashtu në shkollat fillore të komunës së Prizrenit, organizohet edhe manifestimi tradicional “Java Remzi Ademaj – Shtigjeve të Lirisë”, me ç’rast organizohen gara të ndryshme letrare, sportive dhe kulturore.

Marrë nga libri “Ngjarjet e lavdisë” i gazetarit dhe profesorit prizrenas, Qazim Morina

/ GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.