01-10-2026

“Millosheviqi mendje gjenocidale”, Clark: Thaçi patriot, u kthye në Kosovë në kohë krize

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka fajësuar Gjykatën Speciale për aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Clark u shpreh se Millosheviqi kishte një mendje gjenocidale. Ai vlerësoi figurën e Hashim Thaçit, duke thënë se ish-presidenti i Kosovës ishte një patriot, që u kthye për ta mbrojtur atdheun.

“Gjatë luftës, ne i kërkuam Millosheviqit që të tërheqë trupat dhe i dhamë një dokument, që e vërtetonte këtë. Ai më tha se shqiptarët janë vrasës, janë përdhunues. Ai ma tha se jemi marrë me shqiptarët më parë dhe se ne e kemi zgjidhjen dhe ne “do i vrasim të gjithë”. Millosheviqi e nënshkroi dokumentin, por në janar çoi sërish forcat në Kosovë dhe rinisi spastrimin etnik. Kurrë nuk krahasohet Millosheviçi me Hashim Thaçin. Thaçi ishte një patriot, që u kthye në vendin e vet në kohë krize.”, ka thënë ai në një intervistë për Klan News.

Ish-gjenerali ka thënë se Millosheviçi ishte kokëfortë.

“Ishte i sigurt se do i jepte fund UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Serbia kishte arrestuar dhe vrarë intelektualë dhe ju thanë njerëzve që na jepni pasurinë dhe gratë e reja, ose ndryshe do ju vrasim. Millosheviçi e dinte se çfarë ndodhte në terren. Kur pamë se situata u bë e rëndë, ne ndërhymë dhe e bombarduam Serbinë”, tha Clark.

I pyetur nëse ndërhyrja në Kosovë u bë për të hequr vëmendjen nga skandali, ku dyshohet se u përfshi ish-presidenti amerikan Bill Clinton, Clark nënvizoi se kjo nuk është aspak e vërtetë.

Ai shpjegoi se në atë kohë, ka pasur një gjenocid në Ruanda dhe se SHBA-të nuk mund të lejonin që diçka e tillë të ndodhte edhe në Kosovë.

“Është një deklaratë qesharake, kjo që ndërhyrja në Kosovë u bë për të hequr vëmendjen nga skandali i Bill Clinton. Në atë kohë, në Ruanda kishte spastrim etnik. Diku tek 800 mijë njerëz u masakruan në atë vend afrikan. Ne pamë aty gjenocid dhe thamë se masakrimi nuk mund të përsëritej. Më 1995 ne pamë spastrimin etnik serb në Bosnjë dhe NATO vendosi të ndërhyjë edhe në Bosnjë e Herzegovinë.

Aty negociuam fundin e Millosheviqit dhe ai u ul në tryezë, sepse e dinte se kishte përballë NATO-n. Aty u nda Bosnja, 51 përqind me 49 përqind. Kjo ishte marrëveshja atëherë, që është kritikuar nga boshnjakët. Rezultati nuk ishte i mirë, por lufta mbaroi. Më 1998 familja Jashari u eliminua dhe u bë një masakër e madhe. Presidenti maqedonas tha se aty do ketë luftë, kur u shpreh se shqiptarët do të marrin armët. Millosheviçi ishte i vendosur që të eliminonte të gjitha të drejtat e shqiptarëve, ndoshta donte të vendoste serbë në Kosovë, planet e tij, nuk e dimë se çfarë kishte në mendje fiks. Kjo urrejtje mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdon akoma deri në një farë pike. Ne bëmë sa mundëm. Le të nisim të ndërtojmë një raport më të mirë në rajon”, deklaroi Clark.

Asnjë koment

Comments are closed.