28 banesa do të ndahen për familjet me gjendje sociale në Prizren e Sharr
28 familje me gjendje sociale nga rajoni i Prizrenit do të bëhen me shtëpi. Ndarja e tyre do të bëhet pikërisht me rastin e 28 nëntorit -Ditës së Flamurit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili në faqen e tij të facebook-ut, ndër të tjera ka shkruar se Komuna e ka ndërmarrë këtë iniciativë në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, nga të cilat 22 shtëpi janë në territorin e komunës së Prizrenit dhe 6 shtëpi të tjera në komunën e Dragashit.
“Të gjithë përfituesit do të gëzojnë shtëpitë e reja dhe të mobiluara. Komuna jonë ka akoma më shumë qytetarë në nevojë, prandaj do të vazhdojmë me aksione të tilla në mënyrë që deri në fund të vitit të strehohen sa më shumë familje”, ka shkruar ai.
Ndonëse kryetari nuk ka konkretizuar se në cilën pjesë ndodhen këto shtëpi, sa i përket Prizrenit me siguri fjala është për banesat e ndërtuara nga ana e Komunës në fshatin Petrovë (në afërsi të gjimnazit “Loyola”). /GazetaePrizrenit.net.