18-05-2024

Prizren: Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës ndaj zyrtarit ligjor të Agjencisë Kadastrale

Departamenti i Krimeve të Rënda, që vepron në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit  I.K., në cilësinë e zyrtarit ligjor të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kundër të pandehurit  XH.SH., për shkak të veprës penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas aktakuzës, i pandehurit I.K., dyshohet se në cilësi të personit zyrtar – zyrtar ligjor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, me ç’rast i shkakton dëm personave të tjerë dhe shkel të drejtat e personave të tjerë, lidhur me bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të tokës dhe objekteve në “Kompleksin e tregut të qytetit në Prizren” nga pronari i gjertanishëm KK  Prizren në shfrytëzuesin – investitorin “M.I.”, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit në vlerën e sipërfaqes së lokaleve prej 978.96 m2, si dhe objektet, depot dhe tregjet në sipërfaqe prej 220 m katror.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit  zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri tjetër  XH. SH., në mënyrë të kundërligjshme e uzurpon pronën e paluajtshme shoqërore së bashku me të gjitha objektet e ndërtuara në to, pronë e komunës së Prizrenit, me destinacion tokë ndërtimore, duke uzurpuar hapësirat të cilat i takojnë Komunës së Prizrenit në bazë të kontratës mbi realizimin e tregut të qytetit në lagjen “Ortakoll”, dhe anekseve të kësaj kontrate.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Asnjë koment

Comments are closed.