Inspektorati bllokon rreth 150 mijë lodra për fëmijë nga Kina, ndalohet shitja e tyre në tregun e Kosovës
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, gjatë ditëve të fundit ka realizuar një aksion të përbashkët inspektues në pikat doganore, me ç’rast ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150.000 lodrave për fëmijë, të gjitha me origjinë nga Kina.

Ky aksion është realizuar në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me qëllim të forcimit të kontrollit dhe parandalimit të hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.

Gjatë kontrollit është konstatuar se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.
IQMT rikujton se lodrat për fëmijë, që nuk përmbushin kërkesat dhe standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi mund të paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të vazhdojë aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të produkteve që vendosen në treg, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së produkteve.



