Kremtimi i këtij 28 Nëntori, njërës prej festave më të rëndësishme kombëtare, sot do të jetë më i veçantë për 22 familje të komunës së Prizrenit dhe 6 sosh nga ajo e Sharrit (ish Dragashit).
Kësaj dite historike, këto familje që jetojnë në gjendje sociale, do t’ia shtojnë edhe historinë e gëzimit për marrjen e çelësave për shtëpitë e reja, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në bashkëpunim të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe Komunës së Prizrenit janë ndërtuar 20 shtëpi, ndërsa dy të tjera i ka ndërtuar vet shoqata në fjalë. Ato do të jenë të mobiluara.
Ndarja e çelësave do të bëhet në një ceremoni simbolike, që mbahet në orën 14:00, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, në të cilën pos drejtuesve të shoqatës “Jetimat e Ballkanit” dhe atyre nga Komuna e Prizrenit, është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Për këtë projekt, hisja që Komuna e Prizrenit ka participuar është fondi prej rreth 100 mijë euro.
Përfituesit janë nga Prizreni, pastaj rajoni i Hasit, Anadrinit etj./GazetaePrizrenit.net/