20-04-2024

32 policë u përjashtuan nga Policia e Kosovës këtë vit

Në qershor të këtij viti u raportua për përjashtimin e Haris Kelmendit, ish-pjesëtarit të Njësisë për Reagim të Shpejt nga Policia e Kosovës. Por Haris Kelmendi nuk është zyrtari i vetëm që u përjashtua nga ky institucion këtë vit.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Sinjalin, kanë bërë të ditur se gjatë këtij viti, 32 zyrtarëve policorë u është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Sipas Policisë, arsyeja për përjashtimin e tyre është bërë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore.

Në anën tjetër nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë njoftuar për Sinjalin për kallëzimet penale që janë ngritur deri në shtator ndaj punonjësve policorë.

“Ju njoftojmë se IPK për periudhën 01.01.2021 – 30.09.2021, ndaj punonjësve policorë në prokuroritë përkatëse ka dorëzuar dyzetë e nëntë (49) kallëzime penale”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.

Gjatë kësaj periudhe, 30 zyrtarë policorë janë arrestuar, ndërsa 74 janë suspenduar.

Nga IPK kanë thënë se nën hetime janë 157 punonjës policorë, nën dyshimin se kanë kryer vepra. Sipas IPK-së, veprat më të shpeshta janë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar publike, lëndim i lehtë trupor, dhuna në familje dhe kanosja.

Asnjë koment

Comments are closed.