4 radio franceze refuzojnë tarifat shqiptare, nuk do të transmetojnë Francë-Shqipëri
Disa radio franceze kanë deklaruar se nuk do ta transmetojnë drejtpërsëdrejti ndeshjen me Shqipërinë, për shkak se nuk janë marrë dot vesh me Federatën Shqiptare të Futbollit në lidhje me tarifat.
Ndeshja e grupit për Euro 2020 ka pak vlerë konkurruese, pasi Franca është tashmë e kualifikuar dhe Shqipëria nuk e kalon dot më grupin, por megjithatë, biletat e ndeshjes janë shitur që të gjitha. FSHF ka thënë se kërkesa ka qenë në fakt tri herë më e madhe se kapaciteti i stadiumit, shkruan Top Channel, transmeton Klan Kosova.
Katër radio franceze nuk kanë rënë dakord me tarifat e FSHF-së në lidhje me kostot teknike, pasi thonë se nuk përputhen me rregullat dhe praktika e UEFA-s.
Europe 1, Radio France, RFI dhe RMC deklaruan se i kërkuan Federatës Franceze të ndërmjetësojë. Pas kësaj, ata i kanë lënë federatës shqiptare një afat përfundimtar deri të premten në orën 19:00, por FSHF i ka shpërfillur duke mos u kthyer fare përgjigje, sipas një deklarate për shtyp që kanë nxjerrë radiot franceze.