Komuna e Prizrenit ka paraaprë një buxhet prej 300 mijë eurosh për ndërtimin e shtëpive për familje me gjendje sociale, ndërsa 40 kryefamiljarë do jenë përfitues të shtëpive dhe 10 të tjerë vetëm të kulmeve, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Sipas shënimeve, deri tash 280 persona kanë aplikuar për të përfituar nga fondi përkatës, derisa zyrtarët thanë se aktualisht po bëhet një skanim i situatës në terren për të parë rastet më urgjente.
Drejtori për Mirëqenie sociale, Fejzë Kabashi tha se nga fondi, 100 mijë euro do të ndahen për ndërtimin e shtëpive për 20 familje, me sistemin çelësa në dorë, ndërsa realizimi i projektit do të bëhet në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”.
“Pjesa tjetër do të jenë shtëpi vetëm me ndërtim të vrazhdë, përfshirë edhe kulmin, ndërsa ndërtimi i tyre do të bëhet sipas një modeli, 75 prej metrash katrorë, me dy pllaka”, tha ai.
10 familje të tjera ndërkaq do të përfitojnë vetëm në rregullimit të kulmit, pasi pjesën tjetër e kanë të kryer dhe se këtë e parasheh pozicioni buxhetor. Për këtë kanë ka pasur aplikim të veçantë, vetëm për kulm.
Drejtori Kabashi, ka thënë se tashmë është kryer një pjesë e verifikimit nëpër adresat e aplikimit dhe kjo është bërë jo nga zyra, por në terren duke u mbështetur në gjendjen faktike të aplikuesve, të cilët edhe do të përzgjidhen.
Në listën përfundimtare do të radhiten ata që plotësojnë kriteret, ndërsa është thënë se kjo do të bëhet në bazë të poenave.
Komuna e Prizrenit, pas lufte disa herë ka ndarë fonde për material ndërtimor dhe për ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta dhe për ata që kanë gjendje të rënduar ekonomike.
Po ashtu, fonde të tjera janë ndarë për ndërtimin e banesave për familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës./GazetaePrizrenit.net/