5 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë të akuzuari për tentim grabitjen me armë e maska në Rahovec
Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, e ka dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të akuzuarin për grabitje në tentativë, D. N.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Nikollë Komani, të akuzuarit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 5 qershori i këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”/.
Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 30 tetor, i akuzuari N. e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.
Ai kishte thënë se është penduar për veprën e kryer, duke i kërkuar falje familjes së dëmtuar, dhe ka shtuar se asnjëherë me parë nuk ka kryer ndonjë vepër penale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 30 shtator 2019, D. N., ngarkohet me veprën penale “grabitje në tentativë”, nga neni 317, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1/28 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, D. N., akuzohet se më 11 maj 2019, ka kryer veprën penale të grabitjes në tentativë, në atë mënyrë që së bashku me të pandehurin A. D., i cili gjendet në arrati, të pajisur më armë zjarri dhe me maska të kamufluar, duke përdorur forcën dhe kanosjen, ditën kritike rreth orës 2:30, hynë në shtëpinë e të dëmtuarve J. dhe M. I. në Rahovec, ku ishin prezentë të gjithë familjarët, duke përfshirë gra dhe fëmijët e vegjël.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit fillimisht kanë kërkuar para dhe aty në ato qaste fillon kacafytja dhe përleshja në mes të pandehurve në njërën anë dhe të dëmtuarve në anën tjetër, ku njëri prej të pandehurve e godet me mjet të fortë të dëmtuarin Jashar, duke i shkaktar lëndime trupore, e më pas me të shpejtë të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur, dhe pas një pune operative taktike nga ana e Policisë më 5 qershor 2019 arrihet të ndalohet dhe arrestohet i akuzuari N../Betimipërdrejtësi