52 policë të Kosovës vazhdojnë të ruajnë, duke mbikëqyrur pandërprerë gjashtë objekte fetare ortodokse në rajonin e Prizrenit, ndonëse sipas zyrtarëve së paku nga viti 2009 nuk ka ndodhur asnjë incident, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Pas trazirave të marsit 2004, në kuadër të masave të sigurisë ndaj kishave ortodokse, në rajonin e Prizrenit është aplikuar kujdestari e pandërprerë 24 orëshe. Fillimisht objektet i kanë ruajtur pjesëtarët e KFOR-it, ndërsa më 2009 sigurimin e tyre e ka marrë Policia e Kosovës.
Drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Berisha ka thënë se për ruajtjen e këtyre objekteve janë angazhuar 52 zyrtarë policor. “Nuk është regjistruar asnjë incident. Shërbyesit fetar në këto objekte dalin e lëvizin lirshëm, ndërsa në kishat ortodokse ka vizita të shpeshta, madje edhe nga Serbia”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për Policinë, Plani i Martti Ahtisaarit dhe dokumente të tjera ligjore parashohin edhe ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjen për vendet/objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Republikën e Kosovës.
Si rezultat i këtyre obligimeve, në vitin 2013 është formuar Njësia e veçantë policore për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare (NJSOTKF), që ka selinë në Prizren. Pos policëve me strukturë janë paraparë edhe 4 rreshter dhe 1 toger.
Sipas togerit Shaqir Bytyqi, shef i sektorit në Prizren në sigurim janë 6 (gjashtë) pika statike, por që gjithsej indetifikohen si 8 objekte. Pesë nga këto pika statike gjenden në lokacione që i përkasin DRP Prizren dhe njëra nga pikat statike pas riorganizimit të regjioneve gjendet në zonën që i takon Drejtorisë së Policisë në Gjakovë.
Në Prizren masa të sigurie aplikohen për kishën e „Shën Premtës-Levishka“ , shkollën e mesme fetare ortodokse „Bogosllavija“, pastaj kompleksin e katedrales „Shën Gjorgji“, kishën e „Runoviçëve“ kishën e „Tutiçit “ ( të tria në sheshin “Shatërvan” , pastaj kishën e „Shën Kiriakes“ ( lagjja „ Nënkalaja“ si dhe manastirin „Shën Arhangjeli që gjendet në rrugën për Reqan të Prizrenit. Jashtë Prizrenit ndodhet Manastiri „Shën Vraçe“ në fshatin Zaqisht.
“Vlerësimi i rregullt i sigurisë bëhet çdo 6 muaj, ndërsa për ndërprerjen e sigurimit 24/7 për momentin nuk është në diskutim” ka thënë togeri Bytyqi.
Ndërkohë që 52 policë vazhdojnë të kujdestarojnë non-stop tek këto objekte, zyrtarët policorë në Prizren, disa herë janë ankuar për numër të pamjaftueshëm të policëve për t’i mbuluar nevojat tjera në fushën e sigurisë, në rajonin e Prizrenit. /GazetaePrizrenit.net/