14-05-2026

7-vjeçari del me biçikletë në rrugë, goditet nga një veturë në Suharekë – pëson frakturë në këmbë

Një fëmijë 7-vjeçar ka mbetur i lënduar rëndë pas një aksidenti trafiku që ndodhi të martën në fshatin Leshan të Suharekës, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 13 maj 2026 rreth orës 15:20, në rrugën “Vëllezërit Elshani”.

Sipas informatave, F. B. rreth 27 vjeç, duke drejtuar një veturë të tipit VW Caddy në drejtim të Terrnjës, është përballur papritur me një fëmijë me inicialet M.G. rreth 7 vjeç, i cili kishte dalë me biçikletë nga një shtëpi përgjatë rrugës.

Sinjali mëson se automjeti e ka goditur biçikletën në rrotën e pasme, ndërsa si pasojë e aksidentit fëmija ka pësuar frakturë në këmbën e djathtë.

I mituri është dërguar për trajtim në repartin ortopedik të Spitalit Rajonal në Prizren, ku edhe është hospitalizuar.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, shoferi është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet si “Aksident trafiku me lëndime të rënda trupore”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.