Zvarritje dyvjeçare të punimeve në rrugën Prizren-Prevallë
Ndërsa në Prizren janë disa kilometra rrugë në segmentin Prizren-Prevallë, rregullimi i të cilave ka nisur që dy vjet, por ende punimet s`kanë përfunduar.
Banorët e fshatrave të Luginës së Lumbardhit ankohen se gjendja e vështirë e rrugës po ua vështirëson lëvizjen, ndërsa operatori ekonomik thotë se janë në planin dinamik të paraparë të këtij projekti.
Në shumë lokacione të segmentit rrugor Prizren-Prevallë ka mbi dy vjet që po punohet. Banorët e fshatrave të Luginës së Lumbardhit shprehen të pakënaqur me zvarritjen e punimeve.
“I prishëm kerrat tu shku poshtë e nalt për Prizren , po bllokohet rruga , duhet nji orë më herët me u nis për në terminin e caktum. Këta që punojnë me 5 – 6 veta nuk kryhet rruga , duhet më shumë njerëz”, u shpreh për RTK Zaim Smajli – Banorë i Mushnikovës
” Tri vjet po e shihni vetë qysh është rruga edhe makinat janë prish edhe kërkush nuk vjen qetu , 80% ka humb lëvizja për shkak të rrugës”, tha Senad Bajrami – Banor i fshatit Gonje Sello
“Këtë rrugë e kemi prioritet sepse na lidh me Brezovicën dhe Shtërpcën , lart zhvillohet turizmi , ka shumë problem me rrëshqitjen e gorëve , për atë është e nevojshme që kjo rrugë të rikonstruktohet “, tha Amir Rustemoviq.
Zgjatja e punimeve në këtë rrugë po i pengon shumë edhe bizneset që zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë pjesë .
“Bizneset në Luginën e Lumbardhit apo të Zhupës janë në kolaps . Lirisht mundemi me thënë që punimet janë tejzgjatur edhe bizneset nuk munden me punu si duhet , jemi me një kohë që fillon edhe turizmi , shumë shpejt kanë me ardh edhe mërgimtarët , kërkojmë dhe i bëjmë apel ministrisë që të përshpejtohen punimet”, u shpreh Sedat Bajrami – Përfaqësues i fshatit Mushnikovë
Operatori ekonomik thotë se është duke punuar sipas planit dinamik, ndërsa pajtohet se vështirësitë e qarkullimit të banorëve janë reale.
“Po kanë pak vështirësi , pasi nuk kanë alternativë tjetër , ka pengesa dhe duhet të ndalohen nganjëherë rrugët . Tash jemi nga finalizimi i këtij projekti , mirëpo kemi ende punë , ka qenë terren shumë i vështirë , nuk përcaktohet , këto punime në kemi mendu që kanalin me përfunduar pa thyerje të gurëve , mirëpo shiko , terreni është i vështirë”, thotë Ramiz Shabani – Operator Ekonomik.
Në raste të shembjes së rrugës, udhëtarët duhet të kalojnë shumë kilometra më shumë për të arritur në shtëpi, thonë banorët.
Ndërkohë, nga Ministria e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur për kohëzgjatjen dhe mbarëvajtjen e këtyre punimeve. /rtk
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit e fundit në rajon për realizimin e investimeve kapitale (Dokument)