Burdushi kërkoi që ta shtynte shkuarjen në burg, Gjykata i jep përgjigje
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka refuzuar kërkesën Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me burgim.
Durim Osmani, avokati i Peqanit, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit është refuzuar.
“Po, iu ka refuzuar kërkesa”, ka thënë Osmani për “Betimi për Drejtësi.
Mbrojtja e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, kishte kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj.
Hysri Peqani më 10 janar 2023 ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, 42 mijë euro gjobë dhe ishte urdhëruar konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 2 milionë euro.
Këtë vendim, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar më 5 qershor 2023 për veprat penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mashtrim”, “Shpëlarje parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Procesi gjyqësor ndaj Burdushit ka zgjatur 2 vjet e 2 muaj, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 15 shtator 2020.
Në çështjen penale ndaj tij ishin dëgjuar një sërë dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve ishin ndaluar të publikoheshin deri në përfundimin e gjykimit.