02-10-2026

Prizren: “Ah bir, a me thikë a?” – Dëshmitari tregon momentin e ther*jes së viktimës në vr*asjes pas përleshjes së qenve

“Ah bir, a me thikë a?” – ishin fjalët që dëshmitari Shkumbin Kryezi tha se i kishte dëgjuar nga viktima H.Sh. në momentet kur dyshohet se ishte goditur me thikë nga i akuzuari Erolind Badalli.

Në Gjykatën e Prizren, të mërkurën, më 30.09.2026, u mbajt seanca gjyqësore ndaj Erolind Badallit, i akuzuar për vrasjen e rëndë në lagjen “Tusus”.

Gjatë seancës u dëgjuan dëshmitarët Shkumbin Kryezi dhe Urim Elezkurtaj.


I pyetur nga prokurori Mejdi Sefa, Kryezi deklaroi se pas përfundimit të  përleshjes së  qenve në lagjen “Tusus” në Prizren, H.Sh. dhe Badalli fillimisht ishin fjalosur, ndërsa të pranishmit kishin ndërhyrë për t’i ndarë. Sipas tij, më pas të dy kishin biseduar veçmas dhe ishin ndarë si shokë.

Kryezi tregoi se më pas ishte nisur së bashku me H.Sh. drejt veturës, ndërsa pasi kishin ecur kishte parë Badallin duke dalë nga një kthesë dhe duke vrapuar në drejtim të tyre.

“Veç e kam pa tuj vrapu nga drejtimi i H.Sh., me të cilin isha ngjitë tuj ecë, dhe e goditi papritmas me thikë” – tha Kryezi.

Kryezi tha se nuk kishte arritur ta shihte se në cilën pjesë ishte goditur tashmë viktima, por momentin e kishte kuptuar nga reagimi i tij.


“E kam dëgjuar H.Sh. kur ka thënë: ‘Ah bir, a me thikë a?’, dhe aty e kam parë që ka filluar t’i rrjedhë gjak” – deklaroi Kryezi.

Dëshmitari gjithashtu tha se kishte ndërhyrë mes tyre dhe se më pas Badalli e kishte kërcënuar edhe atë me fjalët: “Largohu se ta futa thikën edhe ty!”.

Tutje, gjatë dëshmisë së tij, Kryezi  gjithashtu sqaroi edhe lidhur me pronësinë e njërit prej qenve të përfshirë në përleshje.

Prokurori Sefa i rikujtoi se në deklaratën e dhënë në Prokurori kishte thënë se qeni ishte i të njderit  H.Sh., ndërsa para trupit gjykues deklaroi se qeni ishte i tij.

“E vërteta është se njani qen  u kanë i jemi, unë e kam rritë” – deklaroi Kryezi.

Ai sqaroi se qenin e kishte marrë dhuratë nga H.Sh. kur ishte këlysh, por se më pas e kishte rritur dhe ishte kujdesur vetë për të.

Gjithashtu i pyetur nëse kishte parë ndonjë send apo thikë në duart e H.Sh. në momentin e ngjarjes, Kryezi deklaroi se nuk kishte vërejtur që ai të kishte diçka në dorë.

Tutje,  gjatë seancës dëshmoi edhe dëshmitari Urim Elezkurtaj.

 

 

I pyetur nga prokurori Sefa, dëshmitari deklaroi se para ngjarjes mes Badallit dhe tashmë viktimës kishte pasur fjalosje dhe shtyrje, por se më pas ata ishin pajtuar.

“U ndanë, u përqafuan se thanë shokë jemi dhe u krye” – tha Elezkurtaj.

Sipas tij, për ngjarjen kishte mësuar nga një person tjetër, i cili kishte ardhur dhe kishte thënë se “Lindi u shpërthy”, duke iu referuar Erolind Badallit.

Elezkurtaj tha se kur kishin shkuar në vendin e ngjarjes kishin parë vetëm disa pika gjaku.

Gjatë dëshmisë, prokurori vuri në pah edhe mospërputhje mes deklaratës së Elezkurtajt në Prokurori dhe asaj në Gjykatë lidhur me pronësinë e qenve.

Prokurori tha se në deklaratën e mëparshme Elezkurtaj kishte deklaruar se njëri qen ishte i Erolind Badallit dhe se pikërisht ai qen kishte ngordhur. Megjithatë, Elezkurtaj e kundërshtoi këtë para trupit gjykues.

“Erolind Badalli ka qenë vetëm shikues, nuk ka qenë as qeni i Erolindit e as i H.” – deklaroi ai, duke thënë se qeni që kishte ngordhur ishte i tyre.

Ndërsa i pyetur nga avokatja  e të akuzuarit, Kosovare Kelmendi, duke iu referuar deklaratës së mëhershme të dëshmitarit në Prokurori ku kishte thënë se H.Sh. e kishte sulmuar Badallin duke e shtyrë, Kelmendi e pyeti se në çfarë mënyre kishte ndodhur kjo.


“Janë shtyrë me duar, rrahje-goditje nga asnjëri nuk ka pasur” – deklaroi Elezkurtaj.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës, më 10 gusht 2025, në lagjen “Tusus”, në Prizren, i pandehuri Erolind Badalli, me dashje dhe në mënyrë dinake, duke shfrytëzuar besimin e viktimës, dyshohet se e ka privuar nga jeta tashmë të ndjerin H.Sh.

Në aktakuzë thuhet se rasti kishte ndodhur pas organizimit të një përleshjeje të qenve, gjatë së cilës qentë ishin përleshur mes vete. Pas përfundimit të përleshjes, derisa viktima H.Sh. ishte nisur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, i pandehuri dyshohet se ishte nisur pas tij.

Sipas Prokurorisë, Badalli fillimisht kishte marrë një thikë nga automjeti i tij dhe më pas i ishte afruar në befasi viktimës, i cili nuk e kishte pritur sulmin.

Tutje, sipas aktakuzës, Badalli e kishte goditur viktimën tri herë me thikë, duke i shkaktuar plagë në pjesën e fytit nën nofullën e majtë, në pjesën e krahut të majtë dhe në pjesën e brinjëve nën sqetullën e majtë.

Sipas ekspertizës së autopsisë mjeko-ligjore të datës 22 shtator 2025, si pasojë e këtyre lëndimeve dhe gjakderdhjes së brendshme në anën e majtë të kraharorit, të shkaktuara nga veprimi mekanik i një mjeti shpues dhe prerës, kishte ardhur deri te vdekja e H.Sh.

Për këto veprime, Erolind Badalli akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasja e rëndë.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Badalli akuzohet se në të njëjtën datë, kohë dhe vend, në një hapësirë publike ku ishin të grumbulluar një numër i madh njerëzish, pa leje valide kishte mbajtur dhe poseduar një armë të ftohtë – thikë (brisk) patentë, me gjatësi të tehut 10 centimetra dhe dorezë 12 centimetra, me të cilën, sipas aktakuzës, i kishte shkaktuar vdekjen H.Sh.

Për këtë, ai akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

I akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkohet sipas aktakuzës./ Kallxo.com

Asnjë koment

Comments are closed.