28-11-2026

UEFA uron Shqipërinë për 28 Nëntorin, rikujton Evropianin historik që e pret në 2027

UEFA ka uruar Shqipërinë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, duke e shoqëruar mesazhin në rrjetet sociale me një kujtesë për një ngjarje historike që e pret futbollin shqiptar në verën e vitit 2027.

Shqipëria do të jetë debutuese dhe bashkë-organizuese e Kampionatit Evropian U21, që do të zhvillohet në vendin tonë dhe në Serbi.

Shorti i mbajtur të enjten në Qendrën e Kongreseve “Sava” në Beograd e vendosi Kombëtaren U21 të Shqipërisë në Grupin B, ku do të përballet me Spanjën, Italinë dhe Finlandën.

Spanja dhe Italia janë ndër kombëtaret më të suksesshme në historinë e këtij kompeticioni, me nga pesë tituj të fituar secila.

Ndeshjet e turneut në Shqipëri do të zhvillohen në Arenën Kombëtare dhe Arenën e Demave në Tiranë, në Elbasan Arena dhe në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.


Kampionati Evropian U21 do të mbahet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Arenën Kombëtare në Tiranë, më 3 korrik.

Në fazën eliminatore do të kalojnë dy ekipet e para nga secili grup, ndërsa kalendari i plotë i ndeshjeve pritet të publikohet së shpejti.

Ky do të jetë edicioni i parë i Evropianit U21 që organizohet në Shqipëri dhe Serbi, me 16 kombëtare pjesëmarrëse, duke shënuar një moment të rëndësishëm për futbollin shqiptar.

Asnjë koment

Comments are closed.