26-11-2026

“As s’shkoi Lumezi, as s’erdhi Elezi, por në pushtet erdhi Bylmezi”, Gjini thumbon Qeverinë nga Prizreni

Kryetari i Aleancës për Kosovën (AK), Ardian Gjini, gjatë një takimi në Prizren ka kritikuar ashpër pushtetin aktual, duke paralajmëruar, siç tha se Kosova nuk guxon të bëjë sërish të njëjtin gabim.

Gjini u shpreh skeptik se qeveria aktuale do ta përfundojë mandatin, duke paralajmëruar një kolaps të mundshëm dhe duke kritikuar përmasat e korrupsionit, raporton Gazeta e Prizrenit.

“Nëse një megavat energji elektrike kushton 700 euro, ky nuk është shpenzim, por vjedhje”, deklaroi ai.

“Të mashtrosh nuk është inteligjencë, por pafytyrësi dhe mungesë dhembshurie ndaj viktimës. Është shumë e dhimbshme kur të mashtron ai të cilit ia ke besuar votën”, u shpreh Gjini.

Ai theksoi se një qeveri që ka ardhur në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit duhet të fillojë pikërisht nga vetja.

“As s’shkoi Lumezi, as s’erdhi Elezi, por në pushtet erdhi Bylmezi”, tha ndër tjera Gjini.

Gjini kritikoi gjithashtu politikat e pushtetit në raport me importin e produkteve, duke përmendur në veçanti qumështin nga Serbia. Sipas tij, nëse institucionet vendosin standarde të kontrollit për prodhuesit vendorë, të njëjtat duhet t’i zbatojnë edhe për produktet e importuara.

Në fund, ai foli edhe për planet e AK-së në Prizren, duke paralajmëruar se brenda katër muajve synojnë të realizojnë disa punë konkrete.

“Në Prizren do të kryejmë disa punë brenda katër muajve. E kemi një strategji. Me Prizrenin do ta befasojmë edhe Kosovën”, deklaroi Gjini. /  Gazeta e Prizrenit /

Asnjë koment

Comments are closed.