94 raste aktive me koronavirus në Prizren, Haskuka e ka një shqetësim rreth testimeve
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se në këtë qytet janë 94 raste aktive me koronavirus.
Ai ka thënë se brengosëse për të është gjurmimi i rasteve që kanë pasur kontakt me të infektuarit.
“Brengosës është fakti që kohëve të fundit gjithnjë e më shumë kemi raste të identifikuara në klinikat infektive, kurse i atyre të identifikuara nga gjurmimet është duke rënë. Kjo po ndodh për shkak se ka kërkesa të mëdha për teste, ndërkaq numri i testeve që po bëhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për ata që nuk kanë simptome, po zvogëlohet”, është shprehur Haskuka, transmeton Klan Kosova.
“Ne si Komunë e Prizrenit kemi ndërmarrë hapat për mbrojtjen e stafit administrativ, në mënyrë që edhe shërbimet të vazhdojnë pa ndërprerje. Po ashtu kam kërkuar nga Inspektorati Komunal dhe Policia e Kosovës që të monitorojnë implementimin e masave nga ana e bizneseve, ku mbajtja e maskave është obligative”.
“Me lehtësimin e masave kolektive tani mbrojtja ndaj virusit mbetet obligim individual i çdonjërit qytetar. Ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani maska në publik, mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike”.