25-11-2024

A bëri më keq Kryetari Totaj apo partia?

Tashmë u mbush një vit, kur në krye të Komunës së Prizrenit është Shaqir Totaj. Ai erdhi në këtë pozitë, fillimisht duke bërë kritika të shumta ndaj partisë së tij, PDK-së. Madje, akuzat për keqqeverisje ndaj subjektit, që ia mundësoi ta merrte postin më të lartë të deritashëm jetësor, në fillim të daljes në skenën politike, më 2017 ishin pothuajse më të mëdha se ato ndaj partive të tjera, shkruan sot Gazeta e Prizrenit.

Nëpër medie dhe në ndonjë takim publik, ai pothuajse distancohej nga të bëmat e PDK-së. Dukej sikur disi turpërohej. Kritikonte, dhe madje vetë tregonte se i kishte kushtëzuar liderët partiakë, për mënjanimin e disa figurave, ndonëse konsideroheshin si “bolduzherë partiak” në nivel lokal, në mënyrë që ta kishte një hapësirë veprimi. Por, viti i parë i punës në pushtet i Totajt, pothuajse shumkë që e ka njohur e vuri në dyshime, për një aktrim të tij në opozitë, vetëm sa për të ardhur në pushtet.

Me të marrë detyrën si kryetar komune, sikur pati një tjetër Shaqë. Një konstatim i tillë thuajse përforcohej vazhdimisht me shtimin e ditëve në shtëpinë më të pushtetshme në Prizren. Në shumë raste bëri të kundërtën e asaj që deklaronte në opozitë. Pothuajse i bëri hisedarë në pushtet disa ish-rivalë oportunistë, të cilët jo vetëm se e patën luftuar politikisht, por humbën në zgjedhjet e fundit.

Shumëkush mbeti pa tekst nga zhvillimet në kah të kundërt nga deklarimet për një progres.  Kjo shihet në fushën e arsimit, të shëndetësisë, e aty ku pati konkurse. Derisa për procesin përfolur të përzgjedhjes së drejtorëve ka ankesa më shumë se asnjëherë, konkursi për sekretarë shkollash të Prizrenit është anuluar, pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria e Prizrenit.

Ndërkaq, as 6 muaj pas mbajtjes së testit për pozitën Doktor të Stomatologjisë ende nuk janë shpallur rezultatet.

Në vend se të interesohej për mbarëvajtjen e proceseve, Totaj sikur kënaqej që mori postin e kryetarit, ndërsa nga deklarimet e tij sikur “besonte” se gjërat do t’i shkonin si në vendet më të përparuara evropiane. Natyrisht, se mosinteresimin e tij e shfrytëzuan “profiterët” e vjetër e të “rinj”, që iu “ngjitën” Kryetarit.

Për t’i mbuluar të bëmat e tyre, ata ia tumirën kryetarit oreksin për ta punësuar djalin, në “Ekoregjion”, ku Komuna është aksionari kryesor. Pa i bërë një vit në pushtet, Totaj “ra nga provimi”. Lajmi mori dhenë, u bë edhe më tepër “hit”,  kur Totaj ra në grackën e një kuvendari opozitar,  që u “kujdes” t’ia uronte punësimin e djalit direkt në “facebook”. Tashmë, jo që askush s’mund të thotë se kryetari është kundër nepotizmit, por pos opozitës, këtë heshtazi kanë nisur t’ia shfrytëzojnë edhe rivalët e tij, për t’ia mbyllur gojën.

Paramendoni sikur djemtë e drejtuesve lokal të PDK-së, Ramadan Mujës apo të tjerëve, të ishin punësuar sikur ndodhi me të! Totaj sigurisht se në opinion do ta kishte “djegur” partinë, për abuzim me pushtetin. Përpos, kësaj siç është njoftuar në medie, ndaj Totajt ka një rast hetimi edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

/GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.