A do të dalin pagat me rritje: Vjen përgjigja nga Ministria e Financave
Ligji për Pagat, i cili nga disa kategori është kontestuar e disa të tjera janë pajtuar me të, hyri në fuqi nga 1 dhjetori. Nga Ministria e Financave thonë se mjetet e ndara për këto paga, janë të mjaftueshme.
Derisa pritet që sektori publik pagën e ardhshme ta marrë bazuar në ligjin e ri, janë diku 20 deri 30 mijë punonjës që nuk janë të përfshirë në këtë ligj, raporton KTV.
Dhe, bazuar në këtë argument, këta punonjës nuk e kanë të përcaktuar koeficientin dhe rrjedhimisht nuk dihet se me çfarë shume do të paguhen.
Këtë shqetësim e ka pranuar Institucioni i Avokatit të Popullit nga Zyra e Thesarit të shtetit.
Sipas Hilmi Jasharit, Avokat i Popullit, këtu ka ndikuar mosnxjerrja e akteve nënligjore nga ana e Qeverisë para se ligji të hynte në fuqi.
Por, në Ministrinë e Financave për këtë çështje nuk kanë dhënë përgjigje duke referuar që për këtë të pyetet Ministria e Administratës Publike.
Nga zyra për informim e saj vetëm është thënë se për zbatimin e Ligjit për paga, janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor.
Sipas Muharrem Shahinit, drejtor i kësaj zyre, mjetet financiare janë në buxhet dhe masa e pagave e buxhetuar është e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare.
“Për zbatimin e Ligjit për pagat, janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor. Mjetet financiare janë në buxhet, masa e pagave e buxhetuar është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare”, ka thënë Shahini.
Ligji për paga u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për interpretim ligjor nga Avokati i Popullit, institucion ky i cili pranoi ankesa të shumta nga kategori të ndryshme.