25-11-2024

A do të ketë shtyrje të pagesës së kësteve të kredive?

Derisa kriza pandemike po thellohet më tej në vend, dhe ka afektuar edhe ekonominë e vendit, Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të ketë sërish shtyrje të afatit për pagesën e kësteve të kredive. E në Shoqatën e Bankave të Kosovës thonë se derisa nuk ka ndonjë vendim të ri do të mbetet në mes të bankës dhe klientit për të bërë riprogramimin e kredive nëse vlerësohet se ka vështirësi financiare nga ana e klientit për të bërë pagesat.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti përmes një shkrese ka thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar dhe se varësisht prej kësaj do të merret një vendim.

“Nga momenti kur janë liruar masat kufizueses dhe kanë filluar punën shumica e veprimtaritë ekonomike, dhe me vazhdimin e largimit të masave kufizuese, konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, thuhej në këtë shkresë elektronike.

Sipas BQK-së vlera e kërkesave për shtyrje të kësteve kreditore sipas të dhënave për periudhën mars-prill-maj 2020 është 1.95 miliardë euro, apo 63.5% e gjithsej portfolios së kredive aktive të sektorit bankar.

Ndërsa, përmes kësaj shkrese zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti deklaroi se më 8 qershor ky institucion ka aprovuar Udhëzuesin për Ristrukturim të Kredive për shkak të Covid-19 i cili specifikon që kërkesat për ristrukturim të kredive pranohen deri më 31 gusht 2020.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që nga data 08 qershor 2020, ka aprovuar Udhëzuesin për Ristrukturim të Kredive për shkak të Covid-19 i cili specifikon që kërkesat për ristrukturim të kredive pranohen deri më 31 gusht 2020, përderisa çështja e shfuqizimit të pezullimit të klasifikimit dhe provizionimit të klientëve është subjekt i vlerësimit përkitazi me zhvillimet përkatëse në ekonomi”, tha Ahmeti.

E deri në një vendim të radhës, kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija thotë se lidhur e shtyrjes e pagesës së kësteve të kredive i mbetet bankave të bashkëbisedojnë me kredimarrësit dhe të bëjnë riprogramimin e kredive në rastet kur ata e vlerësojnë që është e mundshme.

“Tani e tutje nuk ka ndonjë vendim të ri, mirëpo i mbetet që të bashkëbisedojmë me klientët e tyre dhe të bëjnë ristrukturimin e tyre ose riprogramimin e kredive në rastet kur ata e vlerësojnë që është e mundshme dhe e nevojshme. Por kjo varet nga raporti i klientit me bankën dhe situatën me të cilën klienti mund të gjendet.. Janë disa kategori të bizneseve sidomos për bizneset e mëdha, korporata nuk do kenë vështirësi dhe ato do kthejnë kreditë e tyre tash e tutje sipas planprogramit të paraparë dhe nuk do kërkojnë shtyrje të më tutjemë sepse kanë kapacitete të mjaftueshme edhe për marrjen e kredive të reja. Por është një segment i bizneseve të mesme që me siguri që do kenë nevojë për konsultime të me tutjemë me bankën dhe bankat janë të gatshme t’i konsiderojnë të gjitha këto raste t’i shqyrtojnë dhe të shohin se a është e mundur, e nevojshme që të shtyhen kreditë më tutje ose të bëhet ristrukturimi i tyre varësisht në marrëveshje me klientin”, tha ai.

Derisa e sheh si shumë të nevojshme miratimi i Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, Balija tha se edhe ekonomitë familjare mund të bëjë riprogramimin e kësteve, por kjo nuk do ndodh për të gjithë me automatizëm, kjo do varet nga vështirësia financiare.

“Programi për shtyrje të kredive i ka përfshirë edhe ekonomitë familjare respektivisht individët, kështu që besoj që e njëjta mundësi u ofrohet edhe individëve që të kenë një bashkëbisedim me bankën e tyre dhe të gjejnë mënyra për zgjidhjen e problemeve e tyre financiare. Por jo me automatizëm, nuk duhet të keqkuptohet që shtyrja bëhet me automatizëm për të gjithë që e bëjnë kërkesën varësisht nga situata në të cilën gjendet klienti dhe varësisht nga mundësia e bankës për shkak se e dini se çdo vonesë në kthimin e kësteve është problem edhe për bankën. Prandaj, është me rëndësi që të bëhet shtyrja sipas mundësive të bankës dhe sipas nevojë të klientit. Ajo që është më e rëndësishme tani për tu ndihmua edhe individëve por edhe bizneseve është miratimi i Pakos Fiskale për Rimëkëmbje ekonomike nga qeveria dhe Kuvendit i Kosovës. Nëse kish me u aprovua një pako e tillë atëherë edhe bankat do të kishin më shumë fleksibilitet për t’iu bërë lehtësia qytetarëve dhe bizneseve sepse pakoja parasheh disa mekanizma financiare që i ndihmojnë edhe sektorit bankar. Por nëse vazhdon situata e njëjtë ku nuk ka pako fiskale as emergjente siç duhet, e as të rimëkëmbjes ekonomike edhe sektori bankar do e ketë më të vështirë të ofroj ndihmën për sektorin privat”, theksoi Balija.

Me këtë pajtohet edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i cili tha se nuk pritet të ketë shtyrje të kësteve në bllok ashtu siç ndodhi herën e kaluar, por kjo do të bëhet përmes riprogramimit të kredive konform gjendjes financiare.

“Nuk do ketë shtyrje në bllok, mos të krijojmë pritje se do ketë shtyrje në bllok për të gjithë, por ajo që po tentojmë me definua një modalitet edhe duke biseduar me bankat komerciale është mundësia që të krijohet varësisht prej rastit të krijohet një grejsperiudhë për bizneset që hasin në vështirësi apo riprogramim i kredive konform gjendjes financiare. Supozojmë që edhe bizneset që janë kthyer në punë nuk qarkullojnë 100 për qind si para pandemisë në raport me vitin e kaluar dhe kanë një rënie të qarkullimit dhe konform kësaj të mundësohet pastaj një shtyrje apo të mundësohet edhe një riprogramim i këstit konform qarkullimit i secili biznes. Kjo është në interes dhe të bankës dhe kompanive”, tha Rukiqi.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë se në këtë kohë kur ka shtim të rasteve me COVID-19 në vendin tonë do të ishte tejet e nevojshme që pagesat e kësteve të kredive edhe për tre muaj të shtyhen.

“Është momenti që të tregohet një qartësi mbi masat e radhës dhe në rast se kemi përkeqësim të situatës shëndetësore nuk mund të kemi përmirësim të asaj ekonomike dhe as nuk mund të kemi heqje të masave të cilat janë vënë nga qeveria paraprake. Prandaj, e parashoh si të domosdoshme ngrijten edhe të debatit por edhe të seriozitetit të diskutimit mbi atë se çfarë mundet të ndërmirret menjëherë se si të vazhdohet me masat që ishin të qeverisë së kaluar përfshirë edhe shtyrjes së pagesës së afatit të kredive në mënyrë që qytetarët përveç problemeve shëndetësore mos ta kenë edhe barrën e rëndë financiare që mund t’iu shkaktohet si pasoj e humbjes së punës dhe ngarkesës së kredive nga bankat komerciale”, theksoi Kusari-Lila.

Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020.

Banka Qendrore kishte kërkuar nga bankat që të mos aplikojnë interes ndëshkues e ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve gjatë periudhës së pandemisë, derisa kishte bërë me dije se nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra.

Asnjë koment

Comments are closed.