24-11-2024

A do të rritet çmimi i bukës pas taksës ndaj Serbisë?

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, të martën e kaluar i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 për qind për disa produkte që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Por, kjo masë përjashton produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në komunikatën e Odës së Afarizmit të Kosovës, zyrtarë të së cilës sot janë takuar me sektorin e bukëpjekësve, thuhet se luhatja e çmimit të bukës në treg është njëri ndër problemet e bukëpjekësve.

Por se a do të rritet çmimi i bukës pas vënies së masës prej 10 për qind për importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka treguar për KALLXO.com ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Endrit Shala ka thënë se nuk do të ketë rritje të çmimit të grurit edhe pse importi më i madh është nga Serbia.

“Nuk besoj se do të ketë rritje të çmimit të produkteve e po ashtu edhe të grurit për arsye se lënda e parë mund të merret edhe në vendet e tjera nga tregtarët dhe biznesmenët. Nuk është Serbia vendi i vetëm ku duhet ta marrim grurin”, ka thënë Shala për kallxo.com.

Shala po ashtu ka thënë se do të mundohen ta zvogëlojnë importin e sasisë së madhe të grurit nga Serbia për ta marrë nga vendet e tjera.

“Unë besoj në mirëkuptimin e bizneseve që të shohin alternativa të tjera përveç Serbisë që edhe ata vetë mos të lejojnë që të rritet çmimi për qytetarët e vet”, deklaroi Shala.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se nuk do të këtë rritje të çmimeve edhe pas vënies së taksës prej 10 për qind për shkak se bizneset do të rrezikonin pozicionimin në treg.

Rukiqi ka thënë se rritja e çmimeve nuk do të bëhet për shkak se të gjitha produktet, të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë produkte të zëvendësueshme.

 

Asnjë koment

Comments are closed.