17-05-2024

Nis festivali “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”

Mbrëmjen e të mërkurës, nisi festivali dyditor “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”, të cilin në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” me një paraqitje para shumë adhuruesve të kësaj kënge, e hapi SHKA “Agimi” nga ky qytet, transmeton ”GazetaePrizrenit.net”.

Tetë ansamble nga viset shqiptare janë pjesë e festivalit i cili mbahet për herë të parë në qytetin e Prizrenit dhe që mbështetet nga Ministria e Kulturës së Kosovës.

Pos SHKA “Agimi”, pjesë e këtij aktiviteti nga Prizreni është edhe SHKA “Dogri joll”, pastaj   “Marinari” nga Ulqini  dhe “Tirana FOLK”, të cilët janë në program në natën e parë.

Në hapje të festivalit mori pjesë edhe ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, i cili ndë tjera vlerësoi se Prizreni i bukur gjithmonë ka kultivuar këngën qytetare për çka, edhe jo rastësisht është nikoqir i kësaj ngjarje kulturore.

Të pranishmit patën rastin të kënaqen me interpretimin e këngëve të vjetra qytetare.

Të enjten në ditën e dytë në ora 16.30 do të mbahet Konferenca më temën  “Kënga qytetare në trojet etnike” që organizohet në lokalet e SHKA “AGIMI”.

Më pas nga ora 19:30 në Shtëpinë e Kulturës paraqiten AK “Xheladin Zeqiri“ Tetovë, AK “Grupi i këngës qytetare” Berat, pastaj AK “Gjilani” dhe AK “Isuf Myziri” nga Elbasani./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.