Prizren: Paraburgim të dyshuarit për vrasjen në parkingun e qendrës tregtare në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Rr.H., i dyshuar për vrasjen e rëndë të S.D., ngjarje kjo që ndodhi në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, vrasja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarit dhe viktimës lidhur me parkimin e automjeteve.
Si pasojë e të shtënave, S.D. ka marrë plagë të rënda trupore. Ai fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe më pas është transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se në automjetin e viktimës, në momentin e ngjarjes, ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e tij e mitur, të cilat gjithashtu ishin ekspozuar ndaj rrezikut për jetën.
Pas kryerjes së veprës së dyshuar, Rr.H. është larguar nga vendi i ngjarjes, por pas veprimeve hetimore është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të të dyshuarit, policia ka sekuestruar një armë zjarri të llojit “Sig Sauer”, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërkaq, gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.

Një tjetër detaj i bërë publik nga Prokuroria është se i dyshuari rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit, ndërsa ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për zbardhjen e rasteve kriminale dhe vënien para drejtësisë të personave që shkelin ligjin.


