19-11-2026

Aksioni policor “Vjeshta 2026” në Kosovë, mbyllen 15 lokale e qendra masazhi, arrestohen tetë persona

Policia e Kosovës ka realizuar Planin Operativ “Vjeshta 2026”, në kuadër të të cilit janë kontrolluar 40 lokale të muzikës live dhe 62 qendra masazhi në të gjithë territorin e vendit.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar nga 3 deri më 17 nëntor, në koordinim me inspektorë të Inspektoratit Qendror të Tregut, Inspektoratit të Punës, Administratës Tatimore të Kosovës dhe inspektorë sanitarë, me mbështetjen e njësive të tjera policore.

Gjatë kontrollimit të 40 lokaleve të muzikës live janë hasur gjithsej 285 persona, prej tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga ta, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kolumbia.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, tetë lokale janë mbyllur për shkak të shkeljeve administrative të konstatuara nga inspektorët e MINT-it.

Ndërkaq, në 62 qendrat e masazhit janë hasur 120 persona, përfshirë 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 47 shtetase të huaja, kryesisht nga Tajlanda dhe Shqipëria.


Edhe në këtë kategori, shtatë qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.

Gjatë operacionit janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” – eskorta, ku janë arrestuar tetë persona: katër meshkuj dhe katër femra, shtetas të Kosovës, Shqipërisë, Brazilit dhe Kolumbisë.

Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve janë dorëzuar fletëparaqitje në Gjykatë, ku janë shqiptuar gjoba. Ndërsa shtetaseve të huaja u janë shqiptuar edhe masat plotësuese të dëbimit nga Kosova dhe ndalimit të hyrjes në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Sipas Policisë, gjatë kontrolleve punëtoreve u është ofruar mundësia të deklarohen nëse kanë qenë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore, por nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.

Asnjë koment

Comments are closed.