02-05-2024

A do të votohet sot buxheti i Prizrenit?

Për sot, në orën 10:00 është caktuar vazhdimi i seancës së Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, të ndërprerë me 25 shtator për mungesë kuorumi, por nuk dihet nëse ajo do të mbahet pasi nuk është dukur se ka ndryshim të rrethanave,  për të cilat opozita pat braktisur mbledhjen e fundit, shkruan ‘GazetaePrizrenit.net”.

Kjo do të jetë ndoshta mbledhja më sfiduese pas luftës, që ndodhet organi më i lartë komunal, kur për herë të dytë brenda dy jave, tentohet miratimi i Buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2020.

Gjendjen në KK e ka vështirësuar dalja e Nismës nga koalicioni me Vetëvendosjen që udhëheq pushtetin në Prizren. Shkaku i kësaj Qeveria e Haskukës nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend.

I pyetur nëse është siguruar kuorumi për vazhdimin e mbledhjes, kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi, ka thënë se beson që kjo do të arrihet, pasi sipas tij bëhet fjalë për interesin e qytetit, që në të kundërtën do të pësonte. “Kam marrë një letër nga Ministria e Financave, në të cilën thuhet se nëse deri me 15 tetor nuk miratohet buxheti, atëherë Prizreni mund t’i humb rreth 3 milion euro”, ka thënë ai për portalin “Gazeta e Prizrenit”.

Për herë të parë në historinë e pasluftës,  opozita (PDK-AAK-Nisma) ka numrin më të madh të ulëseve, apo 21 nga 41 sa janë gjithsej në KK.

Opozita pat braktisur mbledhjen pasi kundërshtoi rendin e ditës, sidomos pikat për Shqyrtimin dhe miratimin e propozim-buxhetit për vitin 2020 dhe parashikimin e buxhetit për vitin 2021-2022, si dhe atë, ku planifikohej votimi për hyrje në koncesion të pronës komunale.

Sipas përfaqësuesve të opozitës,  buxheti është një kornizë e planifikuar që t’u shërbej klaneve të pushtetit, duke deklaruar se opozita në Prizren është e gatshme ta votojë buxhetin, atëherë kur merr pjesë në hartimin e tij në politikat zhvillimore.

Sipas informacioneve kuvendarët e Nismës dhe ata të AAK-së as sot nuk do ta votojnë buxhetin,  ndërsa ata nga PDK ende nuk e kanë bërë publik qëndrimin e tyre.

Pavarësisht kësaj dhe mungesës së numrave në KK, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka kërkuar votimin e buxhetit, ndërsa në një deklarim në profilin e tij në ‘’facebook” madje ka përmendur edhe zgjedhjet e parakohshme.

Ai ka shkruar se mosbotimi i buxhetit do t’i dëmtojë qytetarët e komunës së Prizrenit me 3 milionë euro. “Kërkoj nga asamblistët që të votojnë buxhetin dhe mos ta dëmtojnë Prizrenin. Sipas ligjit, kur asambleja komunale është jofunksionale qeveria mund ta shpërbëjë dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme për asamblenë”, ka shkruar Haskuka.

Ndryshe, mbledhja e fundit e KK-së pat dështuar pasi përveç anëtarëve e opozitës (PDK- AAK-Nisma) atë e lëshuan edhe këshilltarët e NDS-it boshnjak.

Mosvotimi eventual i buxhetit do të paraqesë vështirësi për kryetarin Haskuka në zbatimin e projekteve. /GazetaePrizrenit.net/

Lexo edhe:

Kuvendi i Prizrenit në sfidë, kryetari Haskuka përmend zgjedhjet e parakohshme

Asnjë koment

Comments are closed.