20-04-2024

A është harruar gruaja heroinë e Lugishtës së Hasit?

Ajo është Mihra Nerjovaj, e cila pas vrasjes së burrit, Osmanit (1956), kunatit, Islamit (1944) dhe vjehrrës, Kadës 77 vjeçare të cilën serbët e dogjën për së gjalli në shtëpi, ajo arriti të shpëtonte nga nga ekzekutimi katër djem të rinj të Lugishtës.

Shkruan: Besim Muhadri, Nju Jork

“Të gjitha gratë e Kosovës janë heroina!”

Kështu më pat thënë poeti ynë, tash i ndjerë, Murteza Xajë Nura, në vitin 2016, derisa atë ditë e pata vizituar në Kllokot te “Nana Naile”, ku i ngrysi vitet e fundit të jetës. E thoshte këtë, kur gjatë bisedës me të ra fjala për rolin dhe sakrificën e gruas shqiptare gjatë historisë, kur ato kanë qenë ndoshta më të rrezikuarat.

Për të arsyetuar këtë mendim, ai merrte shembullin e bashkëshortes së tij të ndjerë, Ganimete Nurës, në emër të të cilës Xaja i pati botuar krijimet e veta, në kohën kur atij i ishte ndaluar të botonte.

“Eh, e shkreta po shumë ka hequr me mua. Me poezitë e mia, që i botoja me emrin e saj, edhe pse ajo kurrë një poezi nuk e ka shkruar në netën e saj.”

Me ketë ai kishte rrezikuar drejtpërdrejt atë, pa llogaritur edhe vuajtjet dhe sakrificat e tjera të saj, si rritja e fëmijëve, mbajtja e shtëpisë etj., në kohën kur ai nuk në burg.
Duke kujtuar Ganimeten e tij të dashur, të cilës, përveç peshës së kohës e të vetmisë, kur ai vuante në kazamatet serbe, i ishte dashur që të përballonte edhe presionet e sigurimit për poezitë që “shkruante”, atij iu kujtuan vuajtjet dhe sakrificat e grave të tjera shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Ato janë heroinat e Kosovës”, më tha baca Xajë. Mendimin e tij e arsyetonte me faktin se gjatë luftës, burrat, sidomos në qytet, mbylleshin në shtëpi e për kryerjen e punëve të shtëpisë, jashtë shtëpisë, i qitnin gratë. Por këtu nuk e përjashtonte edhe veten në kohën kur ishte fshehur pas emrit të gruas, të cilën e kishte sakrifikuar.

Murteza Xajë Nura kishte të drejtë, sepse gratë shqiptare ishin më të rrezikuarat dhe më të ekspozuarat ndaj dhunës dhe hesapeve të tjera që i kryenin serbët ndaj shqiptarëve e në mënyrë të veçantë ndaj nënave, grave e motrave tona.

Dhe, në këto ditë të qëndrimit në Nju Jork, ku më zuri kjo pandemi, përveç fjalëve të Bacës Xajë, m’u kujtua një grua nga Lugishta e Hasit, për të cilën në vitin 2001, pata bërë një shkrim në gazetën “Zëri”, gjatë kohës kur punoja aty. Mihra Nerjovaj, të cilës në masakrat serbe në Lugishtë të Hasit, të bërë më 12 dhe 26 prill të vitit 1999, ku u vranë dhe u masakruan mbi 50 banorë të Lugishtës e dhjetra banorë të tjerë të Hasit që kishin qëlluar aty, ushtarët dhe milicët serb, ia patën vrarë burrin, kunatin, ndërsa vjehrrën ia patën djegur për së gjalli.

Pas kryerjes së masakrës së parë më 12 prill 1999, forcat serbe të krimit, kishin arritur të zinin robër shumë banorë të Lugishtës, burra, gra, fëmijë e të rinj, të cilët i dërgojnë te vendi i quajtur Tana, në mes Lugishtës dhe Kushninit të Hasit, ku i ngujojnë në një shtëpi. Shtëpia ku ishin ngujuar të zënët robër, ishte shndërruar në një kamp famëkeq përqëndrimi, ku serbët pastaj, për disa ditë me radhë, kryen krime monstruoze ndaj civilëve të pambrojtur. Shumë prej tyre i morën dhe i pushkatuan dhe i varrosën në Milë, Planejë dhe Gurishtë të Hasit, dhjetra kilometra larg vendit të krimit. Për këtë, kohëve të fundit ka dëshmuar për një mdiumin serb, edhe koloneli serb në pension, Lakiq Gjoroviq, që ishte dëshmitar i asaj masakre, tmerret e të cilës i dinë edhe dëshmitarët që i përjetuan ato, por që tash kjo dëgjohet edhe nga goja e vet policëve serb që ishin pjesë e atyre krimeve.

Rrëfimi i kolonelit serb për masakrën e Lugishtës

“Më 12 prill 1999, rreth orës 20:30, tek Guri i Korbit, afër një procke malore te vendi i quajtur Deli i Ujit, në malin në rrethinë të Lubizhdës së Hasit, forcat serbe (Batalioni i Dytë i Motorizuar 549) dhe pjesë të tjera të Brigadës dhe njësive të Policisë Ushtarake; njësive tjera speciale të Ushtrisë Jugosllave; forcave policore serbe të veprimit të veçantë – Njësiti 23, 37, Çeta e Pestë, Çeta e Katërt e Gjakovës, vullnetarët, serbët lokalë, serbët nga Serbia, vullnetarët nga Rusia, Ukraina, romët; grupe të ndryshme të armatosura nën kontrollin e MUP-it; kanë rrethuar dhe kanë privuar pa të drejtë nga liria 500 shqiptarë të dëbuar nga fshatrat përreth, kryesisht fëmijë dhe gra, ndër të cilat M. N. (e lindur më 1962), me pesë fëmijët e mitur – tre vajza dhe dy djem. Emrat nuk i përmend edhe pse i di.

Në mënyra të ndryshme i kanë keqtrajtuar dhe poshtëruar. Me këtë rast, ushtarët e Batalionit të Dytë të motorizuar 549, ku komandant ishte Vlatko Vukoviq, si dhe ushtarët nga njësitet rezervë të njësitit të Prizrenit, ku kolonel ishte Tomislav Nikoliq, e ku dalloheshin për brutalitet dy persona, njëri me nofkën ose emrin Xhole, me të shtëna nga afërsia kanë vrarë 15 shqiptarë nga ky grup (12 nga Lubizhda e tre nga Demjani). Tre të tjerë nga Lubizhda janë plagosur rëndë. Identiteti i tyre është i njohur, por nuk dua t’i cek….

Tre ditë më vonë, më 15 prill 1999, forcat serbe ndanë një grup prej mbi 38 shqiptarëve, të mbyllur në dy shtëpi në lagjen Tanaj të Dedajt, të Lubizhdës, dhe i dërguan në drejtim të panjohur. Emrat e tyre nuk i përmend tash, por e di identitetin e tyre shumë mirë.
Për të fshehur dhe shkatërruar gjurmët e krimeve të kryera dhe për të parandaluar që të zbulohen më vonë, këta 38 shqiptarë janë dërguar në vend të panjohur, e sipas të gjitha gjasave më 26 prill 1999 janë vrarë dhe janë varrosur në varreza sekrete masive.
Në korrik 1999, pas kthimit nga Shqipëria, familjet e Lubizhdës së Hasit, në vendin Deli i Ujit, ku janë vrarë më 12 prill, kanë gjetur trupat e 15 shqiptarëve të vrarë.

Mbetjet e trupit të shqiptarit të 31-të, nga 38 sosh, të cilët më 1999 në Tanaj të Dedajt janë ndarë dhe drejtuar në vend të panjohur, janë zhvarrosur në shtator 1999, në Gurishtë, që është mes fshatit Mazrek dhe Planejë, të komunës së Prizrenit. Shtatë shqiptarë të tjerë janë të zhdukur. Identitetin e tyre e di…”

Kjo është një pjesa e rrëfimit dhe të dëshmisë së kolonelit serb, i cili përmend me iniciale edhe personazhin tonë të këtij tregim rrëqethës. M. N, e lindur më 1962, të cilës thotë se ia di emrin por nuk dëshiron ta zbulojë.

Kë po do të ta falim nga pushkatimi, i kishin thënë kriminelët serb
Dhe M. N, e paraqitur me iniciale nga koloneli serb, është ajo gruaja nga Lugishta e Hasit, për të cilën fola më herët. Ajo është e nacionalitet boshnjak, por e martuar në Lugishtë të Hasit. Ajo e flet mirë shqipen, por edhe gjuhën boshnjake. Pasi serbët e kishin hetuar se ajo po fliste gjuhën serbe, e kishin përdorur edhe si përkthyese aty në atë kamp tmerri, por që gjatë asaj kohe e kishin detyruar të jepte edhe ndonjë intervistë për televizionin serb.
-Përse nuk ke treguar se e di serbishten?- i kishin thënë kriminelët. Por ajo kishte heshtur. Në momentin kur serbët kishin ndarë veç disa burra, në mesin e të cilëve shumë djem të rinj, që i shpienin për t’i vrarë, por këtë e thotë edhe deklarata e kolonelit serb, i kishin thënë:

Tash, pasi që ta kemi vrarë burrin, kunatin dhe vjehrrën, kë po do me ta falë nga këta?
Mihra e kishte ndier veten ngushtë, sepse nuk e kishte të lehtë të përcaktohej se kë do të shpëtonte e kë ta linte që të vritej, për të cilin akt ajo nuk kishte asnjë faj. Kishte dhimbje për të gjithë. Meqenëse i kishte ardhur mundësia, ndonëse nuk besonte, dhe veten e ndiente si në një ëndërr të keqe, megjithatë duhej të vendoste. Së paku të shpëtonte dikë. Dhe kishte zgjedhur djemt e sheh Salihit dhe Adem Gigollajn, që ishte djalë hasreti. Donte të zgjedhte që të shpëtonte edhe të tjerë, por serbët nuk kishin pranuar.

“Mjaft shpëtove këta!- i kishin thënë, duke hequr nga kolona e kalvarit të vdekjes ata që ajo kishte përzgjedhur në ato pak çaste. Pastaj të tjerët i kishin marrë me vete dhe ishin larguar në drejtim të panjohur për ta kryer krimin.

Dhe, pas luftës, Mihra Nerjovaj, pas përjetimeve të të gjitha atyre tmerreve, sigurisht që nuk është ndier mirë, por që ka munguar përkujdesi institucional ndaj saj, ashtu sikurse që ka munguar edhe ndaj grave të tjera të Kosovës që kanë përjetuar tmerret e krimeve serbe. Kjo gura, përveç që është një viktime e luftës, ajo është edhe heroinë e luftës, ngase, pas gjithë asaj katrahure familjare, ajo, pasi që iu dha mundësia, arriti që të shpëtonte edhe katër jetë të djemve të rinj, të cilët ishin në duart e kriminelëve. Mirëpo për këtë sikur askush nuk dëshiron ta dijë.

Për të gjitha ato që kishte parë e përjetuar, Mihra Nerjovaj ka dëshmuar edhe në institucionet relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Edhe pse dihen me emër e mbiemër kryerësit e masakrës, por edhe urdhëruesit e saj, deri më tani nuk është dënuar askush. Dëshmi, përveç atyre që jepi koloneli në pension, Lakiq Gjoroviq, i cili ishte edhe pjesëmarrës, për këto masakra, lexuesit mund të gjejnë edhe në dosjen e Brigadës 549 të Motorizuar të Armatës Jugosllave (549th Motorized Brigade of the Ygosllav Army), të udhequr nga gjeneral famëkeq , i lindur në Gjakovë, por që jetonte në Beogrda, Bozhidar Deliq, dosje e cila ëshstë botuar nga Qendra Humanitare Juridike (Humanitarian Law Center), fq. 29-31.

Askush nuk u kujtua për heroinën e gjallë

Me 12 prill të vitit të kaluar, kur në Lugishtë të Hasit është dita e përkujtimit e asaj masakre të tmerreshme, ishin edhe krerët më të lartë të shtetit, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, ish-Kryeparlamentari, Kadri Veseli. Po aty, por pak më vonë prej këtyre dyve, i vetëm, arriti edhe Presidenti i vendit, shkelqësia e tij, z. Hashim Thaçi.

Në atë ditë përkujtimi, ku përveç lotëve të dhembjes, kujtimet i lagte edhe rrebeshi i shiut, Presidenti shpërndau mirënjohje për disa nga të masakruarit e asaj masakre. Disa i shpalli dëshmorë e disa heronj, mirëpo askush nuk u kujtua për heroinën e gjallë, Mihra Nerjovaj, që ishte aty në atë ditë përkujtimi, dhe e cila tash e 21 vite jeton me plagët e shpirtit, por edhe me krenarinë se në një moment të caktuar kishte arritur së paku të shpëtonte dikënd.
Kjo është padrejtësi dhe me kujtohen fjalët e poetit tonë të ndjerë Murteza Xajë Nura se “Të gjitha gratë e Kosovës janë heroina”, të cilat i qëndruan furtunave e rrebesheve të plumbave e dhunës, atëherë kur ne burrat fshiheshim pas hijeve të tyre. / GazetaePrizrenit.net

Fotografitë nga Nexhat Çoçaj

 

Asnjë koment

Comments are closed.