24-11-2024

A ishte spektakël aksioni për arrestimin e Pulajt dhe zyrtarëve që u liruan, Prokuroria: Ka prova, e apelojmë vendimin

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar për Sinjalin se ky vendim i Gjykatës do të apelohet për faktin që sipas tyre janë plotësuar kushtet ligjore që të caktohet masa që është kërkuar.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, nga Prokuroria kanë deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar dhe kushtet e tjera që të dyshuarit të dërgohen në paraburgim, edhe për faktin që dy prej personave që janë përfshirë në këtë rast ndodhen në arrati.

“Prokuroria do ta apelojë gjithsesi Vendimin e gjykatës sapo ta pranoj atë, ngase janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masës së propozuar, duke përfshirë dyshimin e bazuar dhe kushtet tjera të veçanta ligjore për caktimin e masës së propozuar. Për më shumë, dy persona kyç që kanë përpiluar fatura fiktive janë në arrati e që kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje me të pandehurin F. P., pronarin e bizneseve në Prizren”.

Nga Prokuroria kanë bërë të ditur për Sinjalin po ashtu se pista e hetimit që ka nisur që disa javë pritet të zgjerohet, pasi tashmë janë identifikuar edhe dëshmitarë të kyçur direkt në këtë rast.

 “…pastaj janë identifikuar dëshmitarë të kyçur direkt në këtë mashtrim financiar që do të ndihmonin në ndriçimin e rastit, e po ashtu dëmi që do të mund t’i shkaktohet buxhetit të Kosovës është 2.8 milion euro, si dhe personat zyrtar që kanë kryer veprën penale vijnë nga një institucion ku menaxhohet paraja e shtetit dhe shto faktin këtu se i pandehuri F.P., posedon pasaportë zvicerane.” – thuhet tutje në përgjigje.

Edhe në kërkesën për paraburgim, Prokuroria e ka përmendur rrezikun e arratisjes, si kusht ligjor të përmbushur, në veçanti për Feim Pulaj, i cili ka nënshtetësinë zvicerane.

Por a ishte ishte aksioni i së martës një spektakël i arrestimeve, ku 12 zyrtarë të shtetit dhe një biznesmen përfunduan në pranga nën dyshimet për mashtrime e më pas u liruan nga gjykata, apo me të vërtetë ekzistojnë prova?

Sipas Prokurorisë, dyshimi i bazuar se të arrestuarit kanë kryer veprat penale është vërtetuar dhe se ekzistojnë prova materiale e personale që janë sekuestruar gjatë kontrolleve të kryera ditën e aksionit.

 “Sa i përket pyetjes suaj të fundit, ju informojmë se gjatë bastisjeve janë siguruar prova materiale dhe personale me të cilat vërtetohet dyshimi i bazuar se të arrestuarit kanë kryer veprat penale. Për më shumë, gjatë bastisjeve janë gjetur prova materiale duke përfshirë edhe arsenal armësh dhe dokumentacion, si dhe janë sekuestruar edhe telefona nga i pandehuri kryesor, ku pas ekzaminimit do të vlerësohet edhe për zgjerimin e hetimeve, ngase prokurori i këtij rasti ka identifikuar edhe dëshmitarët që kanë qenë të kyçur në këtë mashtrim financiar dhe të njëjtit do të ofrojnë dëshminë e tyre në lidhje me këtë rast penal.”

Ndryshe, biznesmeni Pulaj nga Prizreni, i cili ka në pronësi tri biznese, dyshohet se ka kryer veprat penale të shmangies nga tatimi dhe prezantimit të dokumenteve të rrejshme tatimore në rastin në të cilin po dyshohet se tentoi të përfitojë nga shteti rreth 3 milionë euro.

Kurse 13 zyrtarët e ATK-së me pozita të ndryshme po dyshohen se kanë pranuar aplikimin e biznesmenit Pulaj për një rimburësim për TVSH, por rastin nuk e kishin kthyer rastin mbrapa edhe pse kishin marrë një kërkesë nga një departament brenda ATK-së për mosrimbursim të kësaj vlere për shkak se faturat ishin të dyshimta si fiktive.

Pra, këta zyrtarë tatimorë kanë pranuar kërkesën, por kjo sërish nuk u kishte hyrë në punë dhe dyshohet se kanë vazhduar veprimet e kundërligjshme. Si rezultat i këtyre veprimeve, të njëjtit i kanë njohur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro.

Sinjali mëson se për këtë ekziston urdhri i Përmbaruesit Privat, Bardh Tasholli, për ekzekutimin me detyrim të rimbursimit nga buxheti i Kosovës në favor të Pulajt, me kamata prej 8%.Por kjo procedurë ishte pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të dyshuarve të përfshirë në këtë skemë të mashtrimit financiar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali

Asnjë koment

Comments are closed.