03-12-2024

A ka ndryshuar çmimi i naftës pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit?

Çmimet e naftës ranë në tregtinë e hershme aziatike pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit gjatë fundjavës.

Nafta e papërpunuar Brent – një pikë referimi kyç për çmimet e naftës në nivel ndërkombëtar – ishte më e ulët, por ende tregtohet afër 90 dollarë për fuçi.

Çmimet tashmë ishin rritur në pritje të veprimeve nga Irani, me naftën bruto Brent që i afrohej nivelit më të lartë gjashtëmujor javën e kaluar.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka thënë se konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.

Analistja e energjisë Vandana Hari ka thënë se është “e qartë, tregu i naftës nuk sheh nevojën për të faktorizuar ndonjë kërcënim shtesë për furnizimin në këtë pikë”.

Nafta e papërpunuar Brent mund të bjerë nën nivelin e 90 dollarëve, por – sipas saj – një tërheqje e konsiderueshme nuk ka gjasa pasi tregtarët mbeten të fokusuar në rreziqet që lidhen me konfliktet në Gaza dhe Ukrainë.

Referuar analistëve, reagimi i Izraelit ndaj sulmit do të jetë kyç për tregjet globale në ditët dhe javët në vijim.

Peter McGuire nga platforma tregtare XM.com pret që tregu i energjisë të ishte i paqëndrueshëm dhe parashikoi se çmimet e naftës do të rriteshin nëse Izraeli do t’i përgjigjej fuqishëm lëvizjes së Iranit.

Tregjet e aksioneve në rajonin Azi-Paqësor ranë të hënën ndërsa investitorët peshuan ndikimin e sulmit.

Irani lëshoi drone dhe raketa drejt Izraelit në fundjavë, pasi u zotua për hakmarrje për një sulm ndaj konsullatës së tij në kryeqytetin sirian Damask më 1 prill.

Izraeli nuk ka thënë se ka kryer sulmin e konsullatës, por besohet gjerësisht se ka qenë pas tij.

Në fund të javës së kaluar, çmimi i naftës së papërpunuar Brent arriti në 92,18 dollarë për fuçi, më i larti që nga tetori, përpara se të binte për t’u mbyllur në 90,45 dollarë të premten.

Irani është prodhuesi i shtatë më i madh i naftës në botë, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë së SHBA-ve.

Dhe po ashtu anëtari i tretë më i madh i kartelit të prodhuesve të naftës OPEC.

Analistët thonë se një çështje kyçe për çmimin e naftës në vazhdim është nëse do të ndikohet transporti përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ngushtica – e cila është midis Omanit dhe Iranit – është një rrugë thelbësore detare, pasi rreth 20 për qind e furnizimit të përgjithshëm të naftës në botë kalon përmes saj.

Anëtarët e OPEC-ut, Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku dërgojnë pjesën më të madhe të naftës që eksportojnë përmes ngushticës. /Albanian post/

Asnjë koment

Comments are closed.