14-05-2024

A ka pësuar metamorfozë Shaqir Totaj?

U bënë dy vjet kur në krye të Komunës së Prizrenit është Shaqir Totaj. Ardhjen në këtë post të njeriut që pothuajse e kishte bërë “bajat” refrenin se ka “diplomë të nënshkruar nga Presidenti Obama”!, duke aluduar në një trajnim, qytetarët e Prizrenit, e pritën me interesim, si një alternativë për ndryshim, jo vetëm pas qeverisjes së kaluar, por edhe paralajmërimit të PDK-së për një diskurs tjetër qeverisës,

Pjesa më e madhe e prizrenasve, sidomos ata në fshatra, sikur më shumë besuan në moshën dhe standardin jetësor të Totajt, se sa në seriozitetin e tij, që shumica e kishin vënë në pikëpyetje. Ndër premtimet kryesore të tij ishte sidomos respektimi i ligjit, por faktet treguan ndryshe, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo u pa që në fillim, ku përkundër premtimit të Totajt për një qeverisje profesionistësh, realiteti doli ndryshe. Sinjal i keq ishte kur në kabinetin e tij qeverisës zunë vend persona, të cilët më parë ai i quante “monoton-të imponushëm”. Realisht pjesë e tij janë njerëz, të cilët nuk gëzojnë respekt tek prizrenasit.

Ky ishte vetëm “dorëzimi” i parë, të cilin e panë qartë qytetarët. Totaj lejoi që në krye të sektorit më të ndjeshëm, në shëndetësi, që edhe ashtu “lëngon” nga shumë probleme, të jetë një arsimtare (me pak përvojë edhe në vetë profesionin e saj). Fillimisht, Totaj u detyrua ta mbyll gojën para shumë gjërave, ndërsa pasojat filluan të shfaqen. Që punët në shëndetësinë primare nuk janë mirë dhe se aty ka udhëhequr një person joadekuat, tregon edhe rasti i fundit i pezullimit të katër zyrtarëve në QKMF.

As në rastet tjera “Talenti” (siç njihet nga shprehja që përdor), nuk mundi t’i kundërshtojë “drejtorët” e ekzekutivit, ndërsa u bë horë, duke nxjerrë në publik, pafuqishmërinë e tij politike, kur i dështoi tentimi për prishjen e koalicionit me “Nismën”, që përkundër dy asamblistëve, mban tri drejtori komunale. Në këtë kontekst doli në shesh edhe mosmarrëveshja me partnerin e koalicionit, Zafir Berishën, me të cilin për shkak të sharjes e kërcënimit çështja përfundoi në gjyq.

Përderisa me “Zafën” nuk takohet, shtrohet pyetja se çfarë koalicioni ka me të? Me kënd i koordinon punët për koalicionin dhe sa “mërziten” për Totajn, drejtorët e Nismës?

Pak ditë më parë, Totaj u kritikua se nuk mundi as ta shkarkoi një drejtoreshë, dhe se vendimin e marrë në mëngjes, e tërhoqi pasdite, kur iu kërkua edhe shkarkimi i dy drejtorëve të tjerë.

Për me keq doli, kur që në vitin e parë të qeverisjes, djali i Totajt u punësua në kompaninë publike “Ekoregjioni”.
“Talenti menaxherial” iu pa kur vjet, Komuna pati 8 milion euro tepricë buxhetore. Kjo është humbje e 8 projekteve milionëshe për Komunën tonë. Për veprime të tilla, sa ishte në opozitë, Totaj ‘nxirrte flakë’ nga goja, duke thënë se suficiti është predispozitë për korrupsion.

Pa mbushur vitin, doli një audio-incizim, për “pazare me një nga personat kyç të opozitës, Osman Hajdarin, ish-drejtorin e Haskukës”. Në këtë kontekst e bëri drejtor shkolle burrin e një asambleisteje, kundrejt votës së saj PRO pushtetit.  /Gazeta e Prizrenit/

Lexo edhe: Pjesa 2

A ka pësuar metamorfozë Shaqir Totaj? ( pjesa 2 )

Asnjë koment

Comments are closed.