A po e humb Vetëvendosja edhe drejtimin e Kuvendit të Prizrenit?

Dështimi i mbledhjes së djeshme të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit,  tregoi krijimin e një realiteti të ri në Prizren. Lëvizja  Vetëvendosje me partnerët qeverisës LDK-në dhe partitë e komunitetit boshnjak e turk, nuk i ka votat as për të mbajtur mbledhje,  e lëre më për të marrë vendime, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Para organit më të lart të lokal, tashmë janë disa vendime të rëndësishme për qytetarët, ndër to edhe Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit për vitin 2020 dhe parashikimi i buxhetit për vitin 2021-2022, si dhe votimi për hyrje në koncesion të pronës komunale.

Ndërkaq, situata e re erdhi pas momentumit të ri të forcës politike në  Kuvendin Komunal, të cilën e solli dalja e Nismës Socialdemokrate nga koalicioni me Vetëvendosjen, që bashkëqeverisën nga fillimi i vitit të kaluar.

Tashmë raporti i numrave në KK del kësisoj: PDK ka 11 vota, ndërsa AAK dhe Nisma nga 5, ndërsa si opozitë kanë shumicën e thjeshtë apo 21 nga 41 ulëset sa ka KK, shkruan ‘Gazeta e Prizrenit’.

Por, mbledhja e fundit tregoi se as dy kuvendarët nga partneri në koalicion NDS boshnjak nuk morën pjesë, ndonëse zyrtarisht nuk ka prishje të koalicionit. Në këtë rast do theksuar se ka hatërmbetje te drejtuesit e NDS-it për shkak se VV pa marrëveshje me NDS e zgjodhi nënkryetare për komunitete të KK, përfaqësuesen nga VAKAT-i po ashtu boshnjak, që në këtë përbërje ishte si opozitë.

Në bazë të gjendjes  së mbledhjes së fundit,  opozita tash i ka 23 vota, numër ky i duhur edhe për shkarkimin e kryesuesit  të KK-së, që vjen nga radhët e Vetëvendosjes.

Përfaqësues të opozitës pas zgjedhjeve kanë paralajmëruar të ketë zhvillime të reja.

Ndryshe, një situatë e tillë e konfigurimit të forcave politike ku në Kuvendin e Prizrenit dominon opozita  është e para pas luftës.

Siç ka shkruar edhe ditët paraprake ‘Gazeta e Prizrenit’ padyshim që kjo do të jetë sfiduese për kryetarin Mytaher Haskuka, që udhëheq me komunën si përfaqësues i një force tjetër politike ( Vetëvendosjes), e cila edhe ashtu për nga numri i këshilltarëve, 7 sosh, është e dyta pas PDK-së, që përbën forcën më të madhe politike në Prizren, pavarësisht që ndodhjes në opozitë. /GazetaePrizrenit.net

Fotografia e PRIZRENPRESS