Informimi dhe marrëdhënia me publikun është pjesë e transparencës, të cilën e ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Përkundër kësaj, së paku në këta nëntë muajt e parë të qeverisjes ka munguar një komunikim i mirëfilltë me Zyrën për informim, që vepron në kuadër të Komunës. Në fakt për shkak të vështirësive të shfaqura në sigurimin e informacioneve, shtrohet pyetja nëse po kryen apo jo funksionin e saj, Zyra për informim, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Pos ndonjë paralajmërimi eventual që ka të bëjë me aktivitetet e kryetarit, informacionet tjera rreth punës së institucionit më të lartë lokal janë të rralla.
Disa pyetje tona të dërguara në adresë të Zyrës së Informim kanë mbetur pa përgjigje. Nga kjo zyrë tashmë mungojnë edhe informacionet për punën e Komunës. Kjo ka shkaktuar boshllëk.
Kohë më parë, Haskuka në prezantimin e zëdhënëses së Komunës, Besama Hoxha tha se bëhet fjalë për një zyrtare me përvojë në këtë fushë, por fillimisht informacionet e pakta nga kjo zyrë tashmë janë rralluar, dhe ato vërehen vetëm në rastet e njoftimeve për ndonjë aktivitet, por jo edhe të përgjigjes për çështjet e kërkuara nga gazetarët.
Sipas burimeve brenda Komunës, kuptohet se Hoxha nuk është më në këtë funksion, pasi ajo tashmë ka shkuar në Prishtinë. Për këtë ndërkaq, nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar.
Në zyrën e formacionit ndodhet edhe Ymer Berisha. Në pyetjen e portalit “Gazeta e Prizrenit” se çfarë funksioni ka ai aktualisht, Berisha është përgjigjur se është “Udhëheqës i zyrës/njësisë për informim dhe marrëdhënie me publikun”. Por, prej fillimit të punës së kësaj qeverisje nuk kemi parë ndonjë aktivitet konkret të tij.
Pyetjes se kush është zëdhënës i komunës, Berisha i është përgjigjur se këtë funksion e kryen Besama Hoxha.
Këto të vënë në dyshim, derisa informacionet dhe komunikimi mungon.
Boshllëkun në këtë drejtim përpiqen ta mbulojnë dy profilet zyrtare në “facebook” të Haskukës, duke prezantuar informacione të shkurtra. Praktikat e tilla të informacionit më tepër merren si një lloj propagande, se sa të informimit.
Megjithëse, Haskuka nuk ka refuzuar të flas sa herë i jemi drejtuar për çështjet e kërkuara, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi nevojat e medieve janë shumë më të shpeshta, dhe për këtë edhe ekziston një zyrë e posaçme informimi.
Haskuka nuk duhet ta harrojë se para ardhjes në pushtet, ka premtuar transparencë të plotë gjatë qeverisjes së tij./GazetaePrizrenit.net/